DVP Durrës
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. Ç., 22 vjeç, banues në Kavajë, pasi u konstatua duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi, dhe gjatë kontrollit fizik iu gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ndaluan shtetasin në kërkim L. M., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Durrësit, në kuadër të një hetimi për regjistrimin e një prone, me dokumente false, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, sepse dyshohet se ka shpërdoruar detyrën si hartograf në ASHK Durrës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manzë arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 47 vjeç, banues në Shijak, dhe po punojnë për kapjen e djalit të tij, shtetasit E. T., 19 vjeç, banues në Fermë Sukth, pasi gjatë një konflikti me shtetasin T. M., 45 vjeç, e kanë goditur atë me sende të forta.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin H. T., 64 vjeç, banues në Durrës, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar lehtë shtetasi H. T.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.