Goditet një rast i dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit.
Arrestohet në flagrancë një 32-vjeçar, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij 41-vjeçar.
Sekuestrohen 2 automjete, një aparat celular dhe një shumë lekësh.
Seksioni i Hetimit dhe ZMPKT i DVKM Korçë, në kuadër të operacionit, arrestoi në flagrancë shtetasin K. P., 32 vjeç, banues në Peqin, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe shpalli në kërkim shtetasin E. M., 41 vjeç, banues në fshatin Taç, Ersekë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.
Shtetasi K. P. u kap nga shërbimet e Policisë, gjatë operacionit, në fshatin Drenovë, Korçë, duke transportuar me automjet drejt Tiranës, 7 shtetas të huaj (2 nga Bangladeshi, 5 nga Somalia), të cilët kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri, nga Kapshtica, dhe synonin të kalonin ilegalisht në Malin e Zi.
Vijon puna për kapjen e 41-vjeçarit, i cili kontrollonte rrugën dhe nuk iu bind shërbimeve të Policisë, në momentin që iu dha shenjë për të ndaluar, por vijoi lëvizjen me automjet, duke mundur të largohej. Pas disa orësh kërkimi, u bë e mundur gjetja e automjetit, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
