Durrës – Zbulohet një subjekt ku prodhoheshin dhe tregtoheshin oxhakë, duke shkelur të drejtat e pronësisë industriale dhe duke fshehur të ardhurat

Durrës
Zbulohet një subjekt ku prodhoheshin dhe tregtoheshin oxhakë, duke shkelur të drejtat e pronësisë industriale dhe duke fshehur të ardhurat.
Vihet në pranga administratori i subjektit.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 9 oxhakë me vlerë 33 000 euro.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në vijim të veprimeve hetimore të kryera pas kallëzimit nga një shtetas, se emri i firmës së tij të certifikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, për prodhimin e oxhakëve, përdorej nga një subjekt tjetër, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. Ç., 47 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësise industriale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mashtrimi”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 9 oxhakë, me vlerë 33 000 euro, të prodhuar në mënyrë të kundërligjshme në subjektin që administronte shtetasi G. Ç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.