Durrës – Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 13, Durrës, ku mbeti i plagosur me armë 42-vjecari R. T.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes, me precedent penal në fushën e narkotikëve.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale automjeti që ka përdorur autori i dyshuar, një palë veshje dhe prova të tjera që shërbejnë për dokumentimin e ngjarjes.

Shërbimet e Policisë Durrës, menjëherë pas ngjarjes se ndodhur në lagjen nr. 13, Plazh, ku një person i maskuar dhe me armë zjarri pistoletë, në tentativë për të vjedhur në banesën e shtetasit R. T., plagosi në këmbë me armë zjarri të zotin e banesës dhe u largua me shpejtësi, menjëherë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, si dhe u ngritën pika kontrolli të shumta dhe u zhvilluan kontrolle në banesa e objekte të ndryshme.

Falë veprimeve të shpejta nga grupi hetimor u bë e mundur që brenda pak orëve të zbardhej ngjarja dhe të identifikohej autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje.
Në përfundim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Th., 27 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës dhe vijon puna për kapjen e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.