Durrës
Zbardhet brenda pak orësh, tentativa për vjedhje në një dyqan këmbimi valutor.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Sekuestrohet pistoleta lodër e përdorur prej tij, gjatë tentativës për vjedhje.
Mesditën e djeshme, menjëherë pas njoftimit se një shtetas kishte tentuar të vidhte në një dyqan këmbimi valutor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës organizuan punën me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorit/ve të kësaj tentative vjedhjeje.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me mbështetjen e informacioneve nga inteligjenca policore, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar të rastit, shtetasit:
E. L., 30 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas dyshohet se më datë 12.04.2024, rreth orës 12:45, në lagjen nr. 1, ka hyrë në një dyqan këmbimi valutor dhe në kërcënimin e një pistolete lodër, ka tentuar të vjedhë një shumë parash.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pistoleta lodër dhe veshjet që ka patur autori i dyshuar, gjatë ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.