Durrës
Vijon operacioni policor kombëtar i koduar “Sundimi i ligjit”, i cili ka si qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe të atyre që posedojnë armë zjarri, pa leje.
Ndalohen 4 shtetas të kërkuar për vepra të ndryshme penale:
✅një 32-vjeçar i dënuar me 3 vjet burgim, për mashtrim lidhur me TVSh-në;
✅një 38-vjeçar që i vodhi para 2 ditësh, automjetin tip “BMW”, një shtetasi italian, në Durrës. Ndalimi i 38-vjeçarit dhe gjetja e automjetit të vjedhur, u bënë në fshatin Manati, Lezhë, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet komisariateve të të dy qarqeve;
✅një shtetas, për përndjekje dhe ✅një shtetas me masë sigurie, për dhunë në familje.
Si rezultat i kontrolleve dhe veprimeve të tjera procedurale të kryera me intensitet, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të operacionit policor kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, si dhe me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, u vunë në pranga shtetasit:
-Regan Merdani, 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili u lokalizua dhe u kap në lagjen nr. 4, pasi Gjykata e Apelit, Tiranë, e ka dënuar me 3 vjet burgim, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”. Hetimet për 32-vjeçarin kanë nisur që në vitin 2016 dhe si rezultat i tyre është provuar se ky shtetas e kryente mashtrimin lidhur me TVSh-në, përmes një biznesi në fushat e prodhimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore;
-E. J., 38 vjeç, pasi dyshohet së më datë 13.11.2023, ka vjedhur në lagjen nr. 18, një automjet tip “BMW”, në pronësi të një shtetasi italian, banues në Durrës. Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, 38-vjeçari u vu në pranga në banesën e tij, në fshatin Manati, Lezhë, ku dhe u gjet automjeti i vjedhur. Vijojnë hetimet për të identifikuar shtetasit e tjerë që mund të jenë implikuar në këtë vjedhje.
-E. P., 33 vjeç, banues në Laç, pasi dyshohet se për rreth një vit, ka përndjekur një 24-vjeçare;
-D. M., 48 vjeç, banues në lagjen nr. 8, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhuna në familje”. 48-vjeçari akuzohet se në mars të vitit 2023, ka dhunuar bashkëshorten e tij.
Operacioni policor “Sundimi i ligjit”, vijon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.