Menjëherë pas ngjarjes u vu në pranga një nga autorët e dyshuar të plagosjes.
Vihet në pranga një nga bashkëpunëtorët kryesorë të autorëve të ngjarjes së ndodhur më datë 01.11.2019, rreth orës 16:13, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, ku mbetën të plagosur tre persona, shtetasi A. N., 42 vjeç, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, shtetasi A. L. dhe shtetasi A. M., i cili më pas ndërroi jetë në spital.
Në vijim të punës intensive që po kryen grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistë të Departamentit të Policisë Kriminale, Sektorit të Krimeve të Rënda në DVP Durrës, nën drejtimin e SPAK-ut, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, si rezultat i provave të siguara u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. H., 29 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Durrës.
Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit e kryer në rrethana cilësuese”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se ky shtetas është bashkëpunëtori kryesor i autorëve të ngjarjes, pasi pas braktisjes së mjetit nga autorët, ky shtetas ka larguar me mjetin e tij autorët e krimit nga vendi ku braktisën mjetin me të cilin kryen krimin.
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur, si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve kryesorë të dyshuar të ngjarjes, konkretisht shtetasi R. Rr., 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë Krujë.
Gjithashtu, po si rezultat i kontrolleve të shpejta në territorin e Drejtorisë Vendore Durrës, brenda një kohe të shkurtër, në fshatin Shkafane, Durrës, është gjetur i braktisur mjeti tip “Benz”, me targë AA342LM, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes. Gjatë këqyrjes së këtij mjeti janë gjetur dhe sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autorët, konkretisht: dy armë zjarri AK 47, dy maska, një sasi lënde djegëse dhe sende të tjera.
Policia e Shtetit, nën drejtimin e SPAK-ut, vijon punën për zbardhjen e plotë të kasaj ngjarjeje, kapjen dhe arrestimin e të gjithë personave të përfshirë në të.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të telefonojnë në 112 apo Komisariatin Dixhital për çdo informacion të mundshëm për këtë ngjarje dhe për çdo paligjshmëri tjetër, duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.