Në kuadër të operacionit “Bregdeti ynë”, nis faza e dytë e operacionit për lirimin e hapsirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundraligjshme me shezlongë e çadra.
Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim të zaptimit të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës ka 2 grupe FNSH, 2 grupe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbime të Komisariatit të Policisë Durrës dhe Stacioni i Policisë Plazh, Policia Bashkiake dhe struktura të mjedisit të Policisë Bashkiake, prej mëngjesit të sotëm ka nisur kontrollet dhe verifikimet në territorin e plazhit në Durrës.
Kontrolli ka filluar nga Përroi Agait në drejtim të vendit të quajtur “Plepa” dhe kontrollet do vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare.
Si rezultat i kontrolleve deri në këto momente në 30 subjekte janë evidentuar 7 parcela pa leje ku janë hequr rreth 290 shezlongë dhe rreth 141 çadra.
Operacioni vijon pa probleme.