Ushtruan dhunë ndaj rojës së një subjekti privat dhe vodhën një shumë parash, Policia zbardh ngjarjen dhe identifikon autorët në kohë rekord.
Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, si dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e rasteve të ndodhura më parë, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit:
H. Q., 21 vjeç, banues në Manzë, M. K., 27 vjeç, B. S., 23 vjeç dhe M. B., 17 vjeç, banues në Rrushkull, Durrës. Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi K. R., 26 vjeç, banues në Jubë, Durrës.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë dhunuar rojën e një subjekti privat, shtetasin B. C., 49 vjeç, banues në Rrushkull, Durrës, janë futur në ambientet e brendshme dhe kanë vjedhur rreth 50.000 lekë dhe një furgon tip “Benz” që ishte në pronësi të subjektit. Ky mjet është gjetur i braktisur në fshatin Perlat dhe është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim.