Durrës
Tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë Rrugore, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, pa vënë rripin e sigurimit, procedohen penalisht 3 shtetas.
Gjatë monitorimit të akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë në rrugë, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit kanë ndaluar automjetet me drejtues shtetasit D. S., A. L. dhe E. Xh., të cilët po drejtonin automjetin, pa vënë rripin e sigurimit. Për të shmangur masën administrative për këtë shkelje, ata iu kanë ofruar para, punonjësve të Policisë.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. S., 47 vjeç, A. L., 31 vjeç, dhe E. Xh., 59 vjeç, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm nga shërbimet e Policisë.