Policia godet një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.
Arrestohet një 39-vjeçar i dënuar më parë në Itali dhe Shqipëri, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 11 doza me lëndë narkotike kokainë dhe një sasi parash të përfituara nga shitja e tyre.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasin:
P. A., 39 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë në Shqipëri dhe Itali, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi, në një çantë dore i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11 doza me lëndë narkotike e dyshuar si kokainë, një shumë parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike dhe një aparat celular.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme.