Durrës/Në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, goditet një rast i shitjes në doza, të drogave të forta

Durrës/Në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, goditet një rast i shitjes në doza, të drogave të forta.

Mbante lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, si dhe mjete për përdorimin e tyre, në automjetin që kishte parkuar në lagjen nr. 1, me qëllim shitjen në këtë zonë, arrestohet 31-vjeçari.

Sekuestrohen lëndët narkotike, mjetet, një automjet dhe një celular.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të veprimtarisë kriminale të shitjes në doza, të lëndëve narkotike, në qytetin e Durrësit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës finalizuan një tjetër episod të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”.

Nga kontrolli në automjetin e shtetasit K. A., të parkuar në lagjen nr. 1, Durrës, shërbimet e Policisë gjetën sasi të lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë, si dhe mjete për përdorimin e tyre, që posedoheshin nga ky shtetas, me qëllim shitjen. Lëndët dhe mjetet u sekuestruan si provë materiale, bashkë me automjetin dhe me celularin e këtij shtetasi.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi K. A., 31 vjeç, banues në Gramsh, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.