Durrës/Kontrolle intensive, bazuar në inteligjencën policore, vijojnë të kryhen në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve që mbajnë armë, pa leje.
Me pistoletë me vete, në rrugët e qytetit të Durrësit, arrestohet në flagrancë 17-vjeçari.
Sekuestrohet arma e zjarrit.
Si rezultat i administrimit të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas lëvizte i pajisur me armë zjarri, në lagjen nr. 13, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh ndërhynë menjëherë, në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, për kapjen e këtij shtetasi.
Shërbimet e Policisë kapën në flagrancë dhe vunë në pranga shtetasin K. Gj., 17 vjeç, banues në Durrës. Nga kontrolli fizik, 17-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.