Parandalohet përshkallëzimi i një konflikti me armë zjarri.
U kap me kallashnikov, në lokalin ku u konfliktua për motive të dobëta, vihet në pranga 35-vjeçari.
Sekuestrohet arma e zjarrit.
Gjatë patrullimeve me objektiv garantimin e rendit dhe sigurisë publike, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës kanë konstatuar një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në ambientet e një lokali në lagjen nr. 13.
Menjëherë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Momentum”, është ndërhyrë me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, si dhe zbardhjen e rrethanave të tij.
Nga kontrollet është konstatuar se njëri nga shtetasit e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasi G. V., 35 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, kishte me vete një armë zjarri kallashnikov.
Shërbimet e Policisë neutralizuan dhe arrestuan në flagrancë 35-vjeçarin, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe i sekuestruan atij, armën e zjarrit.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për të dokumentuar shkakun dhe rrethanat e tjera të konfliktit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.