Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Dëmi”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë.
Vodhi me dhunë, xhiron ditore të një biznesi, falë veprimeve të shpejta policore, brenda pak orësh, identifikohet, lokalizohet dhe vihet në pranga 35-vjeçari.
Zbardhen edhe 4 raste të tjera të vjedhjeve në markete të ndryshme, në qarkun e Durrësit, arrestohet në flagrancë 30-vjeçari.
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas njoftimit të marrë për një rast vjedhjeje të ndodhur në një biznes (furrë buke), në lagjen nr. 2, Durrës, organizuan punën për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorit të këtij rasti.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të strukturave të Komisariatit të Policisë Durrës, u bë identifikimi, ndalimi dhe arrestimi i shtetasit G. R., 35 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, pasi nga provat e siguruara falë reagimit të menjëhershëm, rezultoi se ky shtetas ka vjedhur me dhunë, xhiron ditore (10 000 lekë të rinj) në një biznes (furrë buke), në lagjen nr. 2.
-Si rezultat i punës hetimore nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, me qëllim zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe nxjerrjen e autorëve të tyre, përpara përgjegjësisë penale, u zbardhën 4 raste të kësaj veprimtarie kriminale dhe u vu në pranga shtetasi K. M., 30 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap në flagrancë duke vjedhur në një market, shishe me pije alkoolike.
Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se 30-vjeçari është autor edhe i 3 vjedhjeve të tjera, të të njëjtit artikull, në markete të ndryshme, në qytetin e Durrësit, të ndodhura më 5, 7 dhe 12 janar 2023.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.