Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Sektori për Hetimin e Narkotikëve referoi materiale në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin I. G., 21 vjeç, banues në Himarë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis.
Komisariati i Policisë Vlorë referoi materiale në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin K. Sh., 64 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 25.12.2024, u konstatua jashtë banesës së tij, duke thyer masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”.
Stacioni i Policisë Selenicë referoi materiale në Prokurori dhe shpalli në kërkim shtetasin L. K., 31 vjeç, banues në fshatin Kot, pasi nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se ky shtetas, më datë 25.12.2024, ka djegur me lëndë djegëse, për motive të dobëta, një automjet tip “Benz”, në pronësi të shtetasit L. Z. Vijon puna për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Sektori i Policisë Rrugore në DVP Vlorë:
arrestoi shtetasin M. A., 42 vjeç, banues në Vlorë, pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;
– referoi materiale në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin A. Gj., 68 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 25.12.2024, duke drejtuar automjetin tip “Ford” në aksin rrugor Brataj-Vlorë, është aksidentuar me automjetin tip “Volkswagen”, me drejtuese shtetasen J. K., 49 vjeçe. Si pasojë, ka mbetur e dëmtuar pasagjerja në automjetin tip “Volkswagen”, shtetasja E. L., 52 vjeçe, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.