Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mesditën e djeshme, për një aksident rrugor në lagjen nr. 8, ju informojmë se në përfundim të veprimeve procedurale, Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, për shtetasin E. B., 41 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Me automjetin që drejtonte, 41-vjeçari ka përplasur një 4-vjeçar që po kalonte rrugen, me nënën e tij. I mituri vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Komisariati i Policisë Maliq referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimin penal për shtetasin E. H., 37 vjeç, banues në fshatin Petrushë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një 34-vjeçar.
Komisariati i Policisë Ersekë referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimin penal për shtetasen M. Z., 59 vjeçe, banuese në fshatin Taç Lart, pasi ka kallëzuar një 39-vjeçare, se kjo shtetase e ka kanosur.
Mbrëmjen e djeshme, dyshohet se për shkak të një defekti në sistemin elektrik të godinës së lokalit të shtetasit K. K., në Pogradec, ka rënë zjarr në këtë objekt. Si pasojë janë djegur pjesërisht ambiente të brendshme të lokalit. Po hetohet për të dokumentuar me prova ligjore shkakun e rënies së zjarrit.
Mbrëmjen e djeshme, në Komisariatin e Policisë Maliq, është paraqitur një shtetase 25 vjeçe, e cila ka pretenduar se rreth 1 vit më parë, është shfrytëzuar për prostitucion, nga bashkëjetuesi i saj, shtetasi A. F., 34 vjeç dhe nga shtetasja R. M., 34 vjeçe. Menjëherë pas deklarimit të 25-vjeçares, ka nisur puna për kapjen e 2 shtetasve, si dhe për provimin e rrethanave të këtij kallëzimi. Nga verifikimet e deritanishme, ka rezultuar se shtetasja R. M., është aktualisht në kërkim, e dënuar me 8 vjet burgim, në vitin 2021, nga Gjykata e Apelit e Korçës, për veprat penale “Trafikimi i të miturve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.