Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve ekzekutoi urdhrin e Prokurorisë për ndalimin e shtetasit S. M., 26 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Komisariati i Policisë Devoll ndaloi me iniciativë shtetasin Z. R., 64 vjeç, banues në fshatin Hoçisht, Devoll, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 13-vjeçare, deklarimet e së cilës u morën në prani të prindërve dhe të psikologes.
Komisariati i Policisë Pogradec kapi dhe ndaloi shtetasin në kërkim D. H., 47 vjeç, banues në Pogradec, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Sektori i Policisë Rrugore arrestoi në flagrancë shtetasin L. B., 60 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 5, Korçë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka përplasur një automjet tjetër, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Komisariati i Policisë Maliq arrestoi në flagrancë shtetasin A. S., 49 vjeç, banues në Maliq, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij, i cili u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. H., 56 vjeç, banues në Ferizaj, Kosovë, pasi në aksin rrugor “Korçë-Bilisht”, në afërsi të fshatit Barç, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip kamion që ky shtetas drejtonte, u gjetën 8 oxhaqe metalike, të paevidentuar në deklaratën doganore për eksport. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan oxhaqet dhe kamioni.
Po nga ky Seksion, u referuan materialet në Prokurori dhe vijon puna për kapjen e shtetasve G. M., 23 vjeç, banues në fshatin Qatrom, Korçë dhe M. H., 30 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit nuk kanë shlyer detyrimet financiare të blerjes së një celulari, nëpërmjet një kontrate kredie, në një dyqan, në lagjen nr. 4, Korçë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.