Stacioni i Policisë Patos, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Territor i pastër”, si dhe me mbështetjen te informacionet e inteligjencës policore, ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike. Për rastin u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 23 vjeç, banues në fshatin Dukas, pasi në oborrin e banesës së tij, u gjetën disa bimë cannabisi, të mbjella në vazo. Bimët narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Komisariati i Policisë Fier arrestoi në flagrancë shtetasin A. A., 47 vjeç, banues në Fier, pasi u kap në PKK Qafë Thanë, në dalje të vendit, në cenim të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata e Tiranës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Komisariati i Policisë Divjakë arrestoi në flagrancë shtetasin R. T., 27 vjeç, banues në fshatin Xeng, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait dhe gjyshes së tij.
Policia Rrugore e DVP Fier referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. B., pasi teksa drejtonte në gjendje të dehur, një motomjet pa targa, ka humbur kontrollin dhe si pasojë motomjeti ka dalë nga rruga.
Si pasojë është dëmtuar shtetasi P. B., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.