Drejtoria Vendore e Policisë Fier, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Sektori i Qarkullimit Rrugor arrestoi në flagrancë shtetasin E. S., 45 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Komisariati i Policisë Fier arrestoi në flagrancë shtetasit:

-P. S., 39 vjeç, banues në fshatin Zhupan, pasi në stanin në pronësi të tij, u gjetën një pushkë pneumatike dhe një armë e ftohtë, (thikë), të cilat posedoheshin pa leje. Sendet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale;

-G. B., 19 vjeç, banues në Fier, pasi në lavazhin për automjete, që kishte me qira, u gjetën një karikator pistolete, pa municion, një shkop gome, si dhe një dorezë metalike. Sendet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Komisariati i Policisë Mallakastër referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin P. A., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Informacion shtesë:
Në vijim të informacionit të datës 05.01.2025, mbi plagosjen me armë zjarri të shtetasit G. H., 40 vjeç, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Zogut të Zi”, sqarojmë se si rezultat i veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim e shtetases M. H., 29 vjeçe (bashkëshortja e 40-vjeçarit, me të cilën është në proces për zgjidhjen e martesës). Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e saj, si dhe të autorit të plagosjes, shtetasit K. B., 26 vjeç. Më datë 08.01.2025, për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, përkatësisht për shtetasin K. B., për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, ndërsa për shtetasen M. H., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.