Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin M. B., 35 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i tij u bë pasi në aksin rrugor “Poliçan-Çorovodë”, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur, ka përplasur automjetin tip “Mitsubishi”, që ishte në përdorim nga patrulla e qarkullimit rrugor që po kryente shërbimin në këtë aks rrugor. Si pasojë e aksidentit ka mbetur i dëmtuar punonjësi i Policisë që drejtonte automjetin, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi R. M., 33 vjeç, banues në Dimal, pasi në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Poshnjes”, u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. K., 37 vjeç, banues në Berat, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij, u gjetën 1 pistoletë zhurmuese dhe 1 automatik plastik për qitje, që i posedonte pa leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 57 vjeç, banues në Skrapar, pasi u konstatua duke kryer punime ndërtimi, pa leje, në vendin e quajtur “Kanionet e Gradecit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.