Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e palës amerikane, nga Ambasada e SHBA-së, në Shqipëri (RSO dhe ICITAP), e departamenteve të Sigurisë së Brendshme (Mbrojtja e Doganave dhe Kufirit), e Departamentit të Drejtësisë (DOJ/FBI), e Administratës së Zbatimit dhe Menaxhimit të Drogës (DEA), Departamentit të Zyrës së Kundërterrorizmit (DOS/CT), si dhe shefat e Njësive të Informacionit të Pasagjerit të Shqipërisë, Greqisë, Qipros, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Pjesëmarrësit në takim falënderuan Drejtorin e Përgjithshëm, për mundësinë e këtij takimi të rëndësishëm dhe për mbështetjen për krijimin e një rrjeti të fuqishëm në luftën kundër terrorizmit, drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Ata konfirmuan dhe siguruan të gjithë angazhimin maksimal, për të mbështetur shkëmbimin dhe ndarjen e informacionit në kohë reale.
Njësitë e Informacionit të Pasagjerit janë strukturat më inovative teknologjikisht dhe më efikase aktualisht, në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të rëndë me natyrë transnacionale.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit theksoi rëndësinë që Policia e Shtetit i ka dhënë krijimit të kapaciteteve të Njësisë së Informacionit të Pasagjerit, duke nxitur qysh në fillim, krijimin e saj dhe të një rrjeti të fuqishëm rajonal dhe më gjerë, të shkëmbimit dhe transmetimit të informacionit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u shpreh: “Lufta kundër terrorizmit, drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore janë tematika të rëndësisë parësore dhe pjesë e strategjisë së Policisë së Shtetit. Gjithashtu, bashkimi i inteligjencës dhe teknologjisë përfaqëson një mjet të fuqishëm në përpjekjen tonë për të luftuar veprimtaritë kriminale. Përdorimi i teknologjive ka rritur aftësinë tonë për të monitoruar dhe për t’iu përgjigjur veprimtarive kriminale në kohë reale, duke siguruar ndërhyrje më të shpejtë dhe më efektive.
Këto aftësi ne i shohim tashmë të përmbledhura në Njësinë e Informacionit të Pasagjerit dhe jemi të angazhuar për përmirësimin e kapaciteteve njerëzore dhe për të shfrytëzuar në maksimum kapacitetet teknologjike. Jemi të bindur se krijimi dhe ruajtja e kapaciteteve rrit efikasitetin në punë.
Bashkëpunimi midis ekspertizës njerëzore dhe aftësive teknologjike krijon një forcë unike, e cila është e aftë të lundrojë në kompleksitetin e krimit të ditëve moderne dhe të qëndrojë përpara kërcënimeve në zhvillim.
Duhet të ecim në këtë rrugë me vigjilencë, integritet dhe me përkushtim të palëkundur për të përdorur me etikë dhe në mënyrë të përgjegjshme këto mjete të fuqishme. Së bashku, ne mund të krijojmë procedura standarde për të ndarë informacione duke përdorur të njejtën platformë të përbashkët.
Njësia e Informacionit të Pasagjerit të Shqipërisë është e angazhuar për ndjekjen e këtij prioriteti, duke drejtuar grupet informale të punës për Ballkanin Perëndimor dhe Europën Lindore.”
Luftojmë të gjithë së bashku për një të ardhme ku forcat e inovacionit dhe inteligjencës qëndrojnë si roje kundër hijeve të kriminalitetit.