Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u akordon Certifikatë për Shërbime të Dalluara, Drejtues Vilma Ibrahimi dhe Drejtues Silvana Sulaj

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u akordon Certifikatë për Shërbime të Dalluara, Drejtues Vilma Ibrahimi dhe Drejtues Silvana Sulaj.

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjatë një ceremonie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu iu ka dorëzuar Drejtues Vilma Ibrahimi, me detyrë shefe e Sektorit të Analizës së Informacionit, në Drejtorinë e Analizës dhe Informacionit Kriminal, dhe Drejtues Silvana Sulaj, me detyrë shefe e Sektorit të të Miturve dhe Dhunës në Familje, në Drejtorinë kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë, në Departamentin e Policisë Kriminale, Certifikatën për Shërbime të Dalluara me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizmin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punë, në shërbim të Policisë së Shtetit”.

Gjatë fjalës së tij, Drejtor Veliu ka vlerësuar kontributin, profesionalizmin dhe rezultatet e drejtuesve Ibrahimi dhe Sulaj dhe ka theksuar se është vlerë për Policinë e Shtetit që në radhët e saj punojnë gra me integritet, profesionalizëm dhe me rezultate të larta në detyrat që kryejnë.

Vilma Ibrahimi dhe Silvana Sulaj kanë falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm, për vlerësimin e bërë, Drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale dhe kolegët me të cilët punojnë dhe kanë theksuar se gjatë punës së tyre janë përpjekur për lartësimin e vlerave të organizatës dhe për të krijuar në Policinë e Shtetit, modelin e punonjëses së policisë me integritet e përkushtim, model inkurajimi për të gjitha gratë dhe vajzat që punojnë apo që inspirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.