Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i shoqëruar nga Drejtori i Policisë Tiranë Rebani Jaupi dhe Zv/drejtori Dhimitraq Ziu, ka inspektuar shërbimet e Policisë në rrugë, për të parë nga afër zbatimin e masave kufizuese

I pranishëm në inspektimin e zbatimit të masave ishte Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi.

Shalsi dhe Veliu panë nga afër, përreth dy orë, në disa pika kontrolli, të gjitha kontrollet e kryera nga ana e Policisë për lëvizjen e automjeteve 4+1, nëse drejtuesit ishin të pajisur me autorizim, si dhe nëse zbatonin fashën orare të lejuar apo abuzonin me autorizimet e mara në emër të bizneseve që ata punonin ose përfaqësonin.

Dy ditë më parë, Drejtor Veliu, gjatë një prononcimi për shtyp bëri me dije se automjetet 4+1 do të përdoren vetëm për të shkuar nga shtëpia në punë dhe anasjelltas dhe jo të përdoren në mënyrë abuzive jashtë destinacionit, pasi çdo drejtues mjeti që do kapet duke drejtuar mjetin jashtë destinacionit do ndëshkohet sipas Aktit Normativ.