Drejtori i DVP Tiranë, takim me familjarët e Dëshmorëve të Policisë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë/Familjarët e Dëshmorëve të Policisë, njëherazi Dëshmorë të Atdheut, gjithmonë në qendër të vëmendjes së organizatës.

Në këtë periudhë festash, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë organizoi një aktivitet vlerësimi dhe përkujtimi për sakrificën sublime të punonjësve të Policisë që ranë në krye ose për shkak të detyrës.

I pranishëm në këtë aktivitet, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Drejtues Elton Alushi, ishte Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda.

Gjatë aktivitetit drejtori i Policisë së Tiranës u shpreh: “Ky është një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për ata që dhanë më të shtrenjtën, jetën e tyre, në shërbim të sigurisë publike. Me mbështetjen e veçantë të Ministrisë së Brendshme, të përfaqësuar nga z. Ervin Hoxha, dhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Ilir Proda, ne jemi dhe do të jemi gjithmonë pranë familjeve të tyre, jo vetëm me detyrim institucional, por me përkushtim dhe respekt të thellë për sakrificën e tyre.” Më tej, Drejtor Alushi uroi familjarët e Dëshmorëve të Policisë, për festat e fundvitit, dhe shprehu gatishmërinë për t’i mbështetur ata, kurdo.

Ndërkaq, Drejtues Madhor Ilir Proda theksoi: “Vlera më e madhe e organizatës sonë është jehona e sakrificës sublime të dëshmorëve të Policisë së Shtetit. Vepra e tyre jehon ndër vite dhe të jeni të bindur që ata nuk ju mungojnë vetëm juve, por dhe organizatës për të cilën ata dhanë jetën. Faleminderit që jeni sot këtu! Pa dyshim që ju jeni pjesë e jona. Ju uroj festa të gëzuara, shëndet dhe mbarësi në familje. Gëzuar!”

Familjarëve të Dëshmorëve të Policisë, gjatë aktivitetit, iu dhanë dhurata simbolike, shenjë kjo e kujdesit dhe mbështetjes konkrete nga Policia e Shtetit, për ta.

Aktivitete të tilla po zhvillohen në të gjitha drejtoritë vendore të Policisë.