Divjakë – Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për krime kundër mjedisit

Vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Vihet në pranga një shtetas për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, “Transportimi i mbeturinave toksike” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si rezultat i kontrollit të territorit, ndaluan shtetasin K. H., 45 vjeç, banues në Divjakë.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi ka prerë në mënyrë të paligjshme dru në pyllin e Divjakës(i cili është zonë e mbrojtur) dhe ka hedhur disa inerte që përbëjnë rrezik për dëmtimin e faunës në zonën mjedisore të mbrojtur me ligj.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të mos tentojnë të kryejnë krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ajrit, ndotje të ujërave apo çdolloj krimi tjetër, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

DVP Fier fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.