Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, Stacioni i Policisë Dimal identifikoi dhe arrestoi shtetasin I. D., 68 vjeç, banues në fshatin Gajdë, Dimal.
68-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur disa mbeturina në fshatin Gajdë. Si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke me 65 rrënjë ulliri në pronësi të disa shtetasve të tjerë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon sërish për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.