Dibër – Dogjën me zjarr disa hektarë tokë me bimësi, procedohen penalisht 2 shtetas

Ndezën zjarr me qëllim hapjen e kullotave,si pasojë e erës së fortë zjarri del nga kontrolli duke djegur disa hektarë tokë me bimësi.

Procedohen penalisht dy autorët e dyshuar.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër dhe Bulqizë, në vijim të punës për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, proceduan penalisht shtetasit:

S. Gj., 24 vjeç, pasi dyshohet se në fshatin Kastriot, Dibër, ka ndezur zjarr e si pasojë e erës zjarri ka dalë nga kontrolli duke djegur një sipërfaqe toke me barishte.

T. R., 57 vjeç, pasi dyshohet se në fshatin Çerenec, Bulqizë
ka ndezur një zjarr, ku si pasojë e erës ka dalë jashtë kontrollit dhe është djegur një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi.

Materialet proceduriale në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.