Devoll/Goditet 1 rast i kontrabandës me mallra ushqimore.
Goditja si rezultat i bashkëpunimit të Seksionit të Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Korçë, AMP Korçë-Elbasan dhe Komisariatit të Policisë Devoll.
Sekuestrohen 530 kg produkt ushqimor që dyshohet se është kontrabanduar nga Greqia, për t’u shitur në Shqipëri.
Arrestohet 1 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, të cilët u kapën duke transportuar këtë sasi, të ndarë në kuti.
Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kontrabandimit me mallra, informalitetit, si dhe falë inteligjencës policore dhe bashkëpunimit të specialistëve për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar të DVP Korçë, AMP Korçë-Elbasan dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, u godit një tjetër rast. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Sh., 28 vjeç dhe u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. Xh., 28 vjeç, të dy banues në fshatin Vidohovë, Devoll.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në aksin rrugor “Miras-Bilisht” në afërsi të fshatit Kuç, Devoll, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Mitsubishi”, me drejtues shtetasin A. Sh., dhe pasagjer shtetasin A. Xh., gjetën 530 kg produkt ushqimor (fruta të thata), i cili dyshohet të jetë kontrabanduar nga Greqia. Sasia e produktit ishte e ndarë në kuti, me mbishkrime në gjuhët greke dhe angleze, dhe ishte e papajisur me fatura blerjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.