Dëshmori i Atdheut, ish-punonjësi i Policisë së Shtetit Azem Meshi, nderohet nga Bashkia e Kamzës me titullin “Qytetar Nderi”, me rastin e 20 – vjetorit të rënies në krye të detyrës

Gjatë ditës së sotme është zhvilluar ceremonia përkujtimore për nder të Dëshmorit të Atdheut Azem Meshi, i cili 20 vjet më parë dha jetën në krye të detyrës, në përpjekje për të garantuar respektimin e ligjit dhe sigurinë për qytetarët. 

Bashkia Kamëz i ka akorduar titullin “Qytetar Nderi” ish punonjësit të Policisë Azem Meshi, titull i cili u është dorëzuar familjarëve të Dëshmorit nga Prefektja e Tiranës.

Gjatë ceremonisë është promovuar edhe libri me titull: “Azem Meshi, Shqipe e vendit të vet”.

Më poshtë fjala e plotë e Zv/drejtoreshës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj

Të përkujtosh, nderosh e vlerësosh ata që dhanë jetën për të përmbushur detyrën, ata që mbrojtën jetën me jetë, nuk është as detyrë e as përmbushje protokollesh, por është përgjegjësi morale, është vlerë njerëzore dhe lehtësim i dhimbjes së familjarëve të tyre.

Policia e Shtetit është e vetmja organizatë që e ka paguar shtrenjtë përmbushjen e detyrës. Në themelet e rrugëtimit të saj, qëndron gjaku i qindra dëshmorëve, i dhjetëra punonjësve të plagosur për shkak e në detyrë, qëndron mundi e sakrifica e mijëra punonjësve të Policisë, që ndër vite kanë sakrifikuar për të krijuar një ambient shoqëror të sigurt, për të luftuar krimin dhe që janë përballur e përballen përditë me vështirësi e sakrifica deri në sublim.

Sot jemi këtu të kujtojmë e nderojmë veprën e Dëshmorit të Atdheut, Azem Meshi, i cili u vra në krye të detyrës, në përpjekje për të ndaluar dhe arrestuar disa kriminelë të armatosur, të cilët kishin kryer një krim më parë.

Të nderuar pjesmarrës, ky akt i guximshëm i një punonjësi policie model, kjo përgjegjshmëri ndaj detyrës deri në sakrificën më sublime, jo vetëm e Azemit, por dhe e qindra dëshmorëve të tjerë të Policisë së Shtetit janë motiv për gjithë organizatën e Policisë, por edhe një mesazh për të gjithë, që të mbështesin Policinë e Shtetit në detyrën e saj, sa fisnike aq edhe të vështirë.

Sot Bashkia Kamëz e nderon me titullin më të lartë “Qytetar Nderi”, për kontributin e shquar në vendosjen e rendit.

Po sot promovohet libri “Azem Meshi, Shqipe e Vendit të Vet”.

Në emër edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ju shpreh falënderimet të gjithë atyre që kontribuojnë sadopak për të lartësuar këto sakrifica sublime, pasi ky titull nderi, promovimi i librit dhe shumë vlerësime të tjera mbartin me vete edhe mesazhin e mirëkuptimit, mbështetjes dhe bashkëpunimit mes Policisë, pushtetit vendor dhe komunitetit.

Më herët vepra e Azemit është vlerësuar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, akorduar nga Presidenti i Repubikës. Gjithashtu një rrugë mban emrin e tij.

Të dashur familjarë të kolegut, shokut e mikut tonë të përjetshëm, Azemit. Ju sot ndiheni krenarë për  atë që Azemi gdhendi me gërma të arta në piedestalin e kombit dhe për vlerësimet që i bëhen veprës së tij.

Ju nuk jeni vetëm dhe nuk do jeni vetëm asnjëherë. Dera e shtëpisë së madhe të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme është dhe do jetë përherë e hapur për të gjithë familjarët e kolegeve tanë, që sakrifikuan jetën për të përmbushur detyrën.

Vëmëndja e shtuar e Kryeministrit, sidomos vitet e fundit dhe  iniciativat e ndërrmara së fundmi nga  Ministri i Brendshëm Sandër Leshaj, për t’u takuar, biseduar dhe shqyrtuar çdo problematikë që ju keni, hapja e Fondacionit “Gjurmë”, për të  sensibilizuar cilindo që ka dëshirë të kontribuojë sadopak  për të ndihmuar familjarët e dëshmorëve të Policisë, janë përpjekje reale për të mbështetur gjithë familjarët e dëshmorëve, por dhe një lehtësim dhimbje e sakrificash.

Të nderuar pjesëmarrës,

Duke përfunduar, dëshiroj t’i shpreh familjarëve të Dëshmorit Azem Meshi dhe në mënyrë të veçantë bashkëshortes dhe vajzës së tij Greta, të gjithë mirënjohjen  tonë të thellë.

Azem Meshi, humbi jetën fizikisht, por sakrifica e tij sublime fitoi përjetësinë.

Faleminderit!