Ky aplikacion ka për qëllim marrjen në kohë të njoftimeve, mbi faktet dhe rrethanat që lidhen me kryerjen e veprimeve kompjuterike të pa ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Punonjësit e policisë të strukturave të hetimit të krimit kompjuterik, do të kontaktojnë rast pas rasti për vazhdimin e procedurave të mëtejshme me qytetarët që kanë raportuar. Të gjitha të dhënat, e raportuara, do të trajtohen sipas legjislacionit në fuqi.
Si te kontaktosh Drejtorine per Hetimin e Krimit Kibernetik
Posta elektronike: CC@asp.gov.al
Numri i telefonit: +35569 4155 552
Adresa: Blv. Bajram Curri, Nr.3
NENI 74/A. “SHPËRNDARJA KOMPJUTERIKE E MATERIALEVE PRO GJENOCIDIT OSE KRIMEVE KUNDËR NJERZIMIT”
- Ofrimi në publik ose shpërndarja e qëllimshme publikut, nëpërmjet sistemeve kompjuterike, e materialeve, që mohojnë, minimizojnë, në mënyrë të ndjeshme, miratojnë ose justifikojnë akte, që përbëjnë gjenocid ose krim kundër njerzimit, dënohet me burgim tre deri në gjashtë vjet.
NENI 84/A. “KANOSJA ME MOTIVE RACIZMI DHE KSENOFOBIE NËPËRMJET SISTEMIT KOMPJUTERIK”
- Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, që I bëhet një personi, nëpërmjet sistemeve kompjuterike, për shkak përkatësie etnike, kombësie, race apo feje, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
NENI 117. “PORNOGRAFIA” PARAGRAFI 2
- Prodhimi, shpërndarja, reklamimi, importimi, shitja e botimi I materialeve pornografike në ambientet e të miturve, përbëjnë kundravajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
- Prodhimi, importimi, shitja e botimeve të materialeve pornografike në mjediset ku ka fëmijë me çdo mjet ose formë, përbëjnë kundravajtje penale dhe dënohen me burgim deri në dy vjet.
- Prodhimi, importimi, ofrimi, vënia në dispozicion, shpërndarja, transmetimi, përdorimi ose posedimi i pornografisë së fëmijëve si dhe aksesi në mënyrë të vetëdijshme në të, me çdo mjet ose formë dënohet me burgim nga tre në dhjetë vjet.
- Rekrutimi, përdorimi, shtrëngimi, ose bindja e një fëmije për të marrë pjesë në shfaqje pornografike, ose marrja pjesë në shfaqje pornografike që përfshijnë fëmijët, dënohet me burgim nga pesë në dhjetë vjetë.
NENI 119/A. “SHPËRNDARJA E MATERIALEVE RACISTE OSE KSENOFOBIKE NËPËRMJET SISTEMIT KOMPJUTERIK”
- Ofrimi në public ose shpërndarja e qëllimshme publikut, nëpërmjet sistemeve kompjuterike, e materialeve me përmbajtje raciste ose ksenofobe përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet.
NENI 119/B. “FYERJA ME MOTIVE RACIZMI OSE KSENOFOBIE NËPËRMJET SISTEMIT KOMPJUTERIK”
- Fyerja e qëllimshme publike, nëpërmjet sistemit kompjuterik, që do I bëhet një personi, përshkak të përkatësisë etnike, kombësisë, races apo fees, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
NENI 137/A. “VJEDHJA E RRJETIT TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE”
- Vjedhja e rrjetit të komunikimeve elektronike dënohet me burgim deri në tre vjet, por kur kryhet në në bashkëpunim, më shumë se një here ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.
NENI 143/A. “MASHTRIM KOMPJUTERIK”
- Futja, ndryshimi, fshirja ose heqja e të dhënave kompjuterike apo ndërhyrja në funksionimin e një sistemi kompjuterik, me qëllim për t’I siguruar vetes apo të tretëve, me mashtrim, një përfitim ekonomik të padrejtë apo për t’I shkaktuar një të treti pakësimin e pasigurisë, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjet.
- Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, në dëm të disa personave, më shumë se një here ose kur ka sjellë pasoja të rënda material, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
NENI 186/A. “FALSIFIKIMI KOMPJUTERIK”
- Futja, ndryshimi, fshirja apo heqja e të dhënave kompjuterike, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, pavarësisht nëse të dhënat e krijuara janë drejtpërdrejt të lexueshme apo të kuptueshme, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjet. Kur kjo vepër kryhet nga personi, që ka për detyrë ruajtjen dhe administrimin e të dhënave kompjuterike, në bashkëpunim, më shumë se një here ose ka sjellë pasoja të rënda për interesin public, dënohet me burgim tre deri ne dhjetë vjetë.
NENI 192/B. “HYRJA E PAAUTORIZUAR KOMPJUTERIKE”
- Hyrja e paautorizuar apo në tejkalim të autorizimit për të hyrë në një sistem kompjuterik a në një pjesë të tij, nëpërmjet cënimit të masave të sigurimit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
- Kur kjo vepër kryhet në sistemet kompjuterike ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit public, të mbrojtjes civile, të shëndetësisë apo në çdo sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
NENI 286/A. “PËEDORIMI I PALIGJSHËM I TEKNOLOGJISË SË LARTË”
- Prodhimi dhe përdorimi I sistemeve telematike, mjeteve dhe pajisjeve të teknologjisë së lartë, në rastet e veprave penale të parashikuara në nenet 283 deri në 286/a të Kodit Penal ose për të mundësuar ose lehtësuar konsumimin e lëndëve narkotike dhe psikotrope ose për të transmetuar e përhapur njoftime publicitare për stimulimin e përdorimit të tyre, dënohet me burgim deri në pesë vjet.
NENI 293/A. “PËRGJIMI I PALIGJSHËM I TË DHËNAVE KOMPJUTERIKE”
- Përgjimi i paligjshëm me mjete teknike I transmetimeve jopublike, I të dhënave kompjuterike nga/ose brenda një sistemi kompjuterik, përfshirë emetimet elektromagnetike nga një sistem kompjuterik, që mbart të dhëna të tilla kompjuterike, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.
- Kur kjo vepër kryhet nga/ose Brenda sistemeve kompjuterike ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit public, të mbrojtjes civile apo në çdo sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
NENI 293/B. “NDËRHYRJA NË TË DHËNAT KOMPJUTERIKE”
- Dëmtimi, shtrembërimi, ndryshimi, fshirja apo suprimimi i paautorizuar i të dhënave kompjuterike dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet në të dhënat kompjuterike ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit public, të mbrojtjes civile, të shëndetësisë apo në çdo të dhënë tjetër kompjuterike, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
NENI 293/C. “NDËRHYRJA NË SISTEMET KOMPJUTERIKE”
- Krijimi I pengesave serioze dhe të paautorizuara për të cënuar funksionimin e një sistemi kompjuterik, nëpërmjet futjes, dëmtimit, shtrembërimit, ndryshimit, fshirjes apo suprimimit të të dhënave, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet. Kur kjo vepër kryhet në sistemet kompjuterike ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit public, të mbrojtjes civile, të shëndetësisë apo në çdo sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
NENI 293/Ç. “KEQPËRDORIMI I PAJISJEVE”
- Prodhimi, mbajtja, shitja, dhënia në përdorim, shpërndarja apo çdo veprim tjetër, për vënien në dispozicion të një pajisje, ku përfshihen edhe një program kompjuterik, një fjalëkalim kompjuterik, një kod hyrjeje apo një e dhënë e tillë e ngjashme, të cilat janë krijuar ose përshtatur për hyrjen në një sistem kompjuterik ose në një pjesë të tij, me qëllim kryerjen e veprave penale, të parashikuara në nenet 192/b, 293/a, 293/b, 293/c të Kodit Penal, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.