Sekuestrohen në cilësinë e provave materiale 7 kompjutera, pa dokumentacion.
Procedohen penalisht 3 shtetas.
Në kuadër të kontrolleve për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, gjatë kontrollit të ushtruar, në fshatin Gostimë, Cërrik, në një lokal në pronësi të shtetasit A.B., të cilin e kishin marrë me qira shtetasit E.B dhe E.H., kanë konstatuar se zhvillohej aktivitet i kundërligjshëm i lojërave të fatit.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, Specialistët për Hetimin e Krimit proceduan penalisht penalisht në gjendje të lirë shtetasit:
E. B., 29 vjeç dhe E. H., 35 vjeç, për veprat penale “Punësim i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”;
A. B., 47 vjeç, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojërat e fatit”;
Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 kompjutera që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
—————————
Gjithashtu, në vijim të punës për identifikimin e autorit që kishte fshehur arsenalin me fishekë luftarakë e granata, të cilat i gjeti Policia e Elbasanit mbrëmjen e djeshme, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan filluan procedimin penal ndaj shtetasit B. C., 38 vjeç, banues në fshatin Godolesh, Elbasan, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Falë bashkëpunimit me qytetarët, mbrëmjen e djeshme, në fshatin Godolesh, në vendin e quajtur Prita, pranë magazinës së tij, Policia gjeti dhe sekuestroi 15 arka me fishekë luftarakë, si dhe dhe 12 granata defensive, të cilat, nga veprimet e para hetimore nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, dyshohet se janë hedhur nga ky shtetas.