Ceremonia e hapjes së zyrës së Oficerit Ndërlidhës të EUROPOL-it

Gjatë ditës së sotme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit u zhvillua ceremonia e hapjes së zyrës së Oficerit Ndërlidhës të EUROPOL.

Të pranishëm në këtë takim ishin Ministri i Brendshëm, Ambasadori L. Soreca, Drejtorja Ekzekutive e EUROPOL-it Catherine de Bolle, ambasadorë dhe oficerë ndërlidhës të vendeve partnere.

Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu

I nderuar Ministër i Brendshëm, z. LLESHAJ,

I nderuar Ambasador i delegacionit Evropian, z. SORECA,

E nderuar Drejtore e EUROPOL-it, Znj. De BOLLE,

Të nderuar Ambasadorë,

Të nderuar pjesëmarrës

Më lejoni t’i shpreh mirëseardhjen në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shqiptare, delegacionit të lartë të EUROPOL-it si dhe kënaqësinë për prezencën e ambasadorëve në këtë takim

Bashkëpunimi me partnerët dhe me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere për Policinë e Shtetit është një ndër tre prioritetet kryesore të punës së saj, pasi ne jemi të vetëdijshëm dhe të bindur se lufta kundër krimit të organizuar nuk mund të ketë sukses sado e zhvilluar të jetë një organizatë policore në rast se nuk bashkëpunon me partnerët.

Krimi i organizuar është i ndërlikuar, i shtrirë në hapësirë dhe s’njeh kufij, ngjyrë apo kombësi dhe për këtë, bashkëpunimi është domosdoshmëri për të përmbushur detyrën më kryesore, krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët, biznesin dhe turistët.

Policia e Shtetit është e angazhuar për të kontribuuar në rritjen e parametrave të sigurisë publike rajonale dhe më gjerë, nëpërmjet bashkëpunimit me policitë homologe dhe agjencive ligjzbatuese partnere.

EUROPOL-i si organizatë e Bashkimit Europian për zbatimin e ligjit, synon të përmirësojë efektivitetin dhe bashkëpunimin ndërmjet agjencive ligjzbatuese të shteteve anëtare, për parandalimin dhe luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit.

Pjesëmarrja e Policisë së Shtetit në pikat fokale të EUROPOL-it, është prioritet kryesor i Zyrës Kombëtare të EUROPOL-it në Tiranë, pasi kjo ka një rëndësi të veçantë në përmbushjen e detyrimeve strategjike të Policisë së Shtetit, të cilat rrjedhin nga Prioritetet e Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Brendshme, në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst, asistenca e EUROPOL-it në përmirësimin e analizës së informacionit kriminal në përgjithësi, si edhe përfshirja e Policisë së Shtetit në hetimet dhe operacionet e përbashkëta, është një objektiv që ne jemi duke e ndjekur me vendosmëri dhe këmbëngulje, për të bërë të mundur luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit ndërkombëtar, trafikut të lëndëve narkotike dhe migracionit të paligjshëm.

Gjatë vitit 2018, nga Zyra Kombëtare e EUROPOL-it janë zhvilluar 8 operacione, ndërsa gjatë këtij 6 mujori janë zhvilluar 12 operacione.

Vetëm muajit e fundit janë zhvilluar tre operacione ndërkombëtare të rëndësishme të koordinuara dhe drejtuara nga EUROPOL, ku Policia e Shtetit ishte pjesëmarrëse njësoj si homologët e saj, konkretisht:

– Operacioni “Viribus”, për goditjen e grupeve kriminale që merreshin me trafikimit të ilaçeve falsifikuara;

– Operacioni “OPSON VIII”, për goditjen e aktivitetit kriminal të prodhimit, tregtimit, trafikimit të produkteve ushqimore dhe pijeve nën/standarde dhe të falsifikuara;

– Operacioni GOLDFINGER, i koordinuar nga EUROPOL për goditjen e një grupi të organizuar kriminal, i cili kishte kontrabanduar, shitur dhe shpërndarë armë dhe drogë në shtetet e BE-së.

Në kuadrin e bashkëpunimit me EUROPOL, Shqipëria bën pjesë në 11 Projekte Analitike nga 30 të tilla gjithsej.

Në Prill 2019, Policia e Shtetit është anëtarësuar në projektin e EMPACT OPC (Platforma Europiane Multi disiplinare kundër Kërcënimeve Kriminale, për Krimin e Organizuar kundër Pronës) dhe në të ardhmen synojmë të jemi pjesëmarrës në pikat e tjera fokale, kryesisht ato që kanë të bëjnë me trafikun e drogës si “AP COLA”, “AP CANNABIS”, “AP HERIONE” .

Të gjitha këto rezultate tregojmë edhe njëherë angazhimin, vendosmërinë dhe seriozitetin e Policisë së Shtetit në luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar brenda edhe jashtë kufijve të vendit.

Gjatë vitit 2018 dhe 2019 janë ndjekur të gjitha procedurat për përditësimin e marrëveshjes operacionale me EUROPOL-in si edhe për nënshkrimin e marrëveshjes për vendosjen e Oficerit Ndërlidhës të EUROPOL-it pranë Policisë Shqiptare për ta çuar më përpara bashkëpunimin dhe koordinimin e punës me Zyrën Ndërlidhëse të EUROPOL, inaugurimin e së cilës, është kënaqësi ta bëjmë sot.

Të nderuar pjesëmarrës.
Përfitoj nga rasti t’ju shpreh edhe një herë, gatishmërinë e Policisë Shqiptare, për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë strategjikë dhe në veçanti me EUROPOL-in.

Ju faleminderit