Bulqizë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Years”

Bulqizë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Years” , ku u kap një shtetas që ishte në kërkim prej 5 vitesh.

U konfliktua dhe plagosi me mjet prerës (thikë), bashkëfshatarin e tij, në dhjetor 2017, kapet dhe vihet në pranga 50-vjeçari që ishte i shpallur në kërkim.

Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe ato të Forcës “Shqiponja”, të DVP Dibër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë, në vijim të kërkimeve dhe punës operacionale për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për vendndodhjen e një të kërkuari si dhe në zbatim të planit-operacional të Policisë së Shtetit, kanë organizuar punën dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Years”.

Si rezultat në orët e para të mëngjesit të sotëm, u kap dhe u ndalua shtetasi A.K., 50 vjeç, banues në fshatin Trebisht.

Gjykata e Dibrës i ka caktuar 50-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, pasi me datë 31.12.2017, në fshatin Trebisht, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur rëndë me mjet prerës (thikë), bashkëfshatarin e tij, shtetasin N.O.
__

-Në përfundim të kryerjes së veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Peshkopisë, ku shtetasi L.H., 33 vjeç, u konfliktua dhe kanosi dy shtetas të tjerë, duke qëlluar me armë zjarri në ajër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, bënë arrestimin e tij për veprat penale “Kanosje”, “Armëmbajtje pa leje”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.