Finalizohet operacioni policor i koduar “Dushaj”.
Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë.
Kapet dhe vihet në pranga një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Vihet në pranga 45-vjeçari i dënuar për vrasje të mbetur në tentativë, i cili është i dyshuar edhe për vepra të tjera penale të ndodhura në Bulqizë.
I kërkuari, për t’iu shmangur kontrolleve të Policisë, kishte krijuar një vendstrehim sekret.
Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, strukturat e DVP Dibër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasja me paramendim” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, kanë koordinuar veprimet me Komisariatin e Policisë Bulqizë dhe si rezultat, gjatë mesditës së sotme u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Dushaj”.
Pas rrethimit të banesës në fshatin Dushaj dhe ndërhyrjes profesionale u bë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasit të kërkuar Vehap Shehu, 45 vjeç, i cili në momentin e ndërhyrjes u gjend i fshehur në një ambient sekret të hapur enkas për t’i shpëtuar kontrolleve të Policisë.
Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Dibër e ka dënuar me 6 vjet, 10 muaj e 21 ditë burg. Në vitin 2013, në qytetin e Bulqizës, ky shtetas ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin F. T. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i varë vëllai i shtetasit Vehap Shehu dhe u plagos rëndë shtetasi F. T. (i arrestuar më parë nga DVP Dibër dhe forcat RENEA gjatë operacionit “Fundi i arratisë”).
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.