Bllatë/ Dibër – Kontrolle të shtuara për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare

Policia Kufitare Bllatës në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër parandaluan dhe goditën një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Arrestohet në flagrancë 26 vjeçari, i cili tentoi të trafikojë 370 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Bllatë, në kuadër të masave për goditjen e veprimtarisë kriminale në drejtim të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, kanë shtuar kontrollet dhe bazuar edhe në bazë të analizës së riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare, dhe shkëmbimit të informacioneve me Sektorin për Hetimine Narkotikëve në DVP Dibër, kanë përzgjedhur për kontroll të detajuar në vijë të dytë në dalje të Republikës së Shqipërisë, mjetin kamionçinë tip “Benz”, me drejtues shtetasin F. A., 26 vjeç, banues në Gjoricë e Poshtme, Bashkia Bulqizë, i cili kishte si destinacion Maqedoninë e Veriut.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar të fshehur në brendësi të kamionçinës lëndë narkotike. Kontrolli ka vijuar nga grupi hetimor dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, ku gjatë kontrollit të imtësishëm u gjet e fshehur një sasi prej 370 kg lënde e dyshuar narkotike kanabis , e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore , Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër , bënë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të kamionçinës .

Specialistët për Hetimin e Krimit në DVP-Dibër në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Prokurorinë Dibër, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të skemës së tentativës së trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprime të mëtejshme.