Berat/Goditje të njëpasnjëshme në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, kundër veprimtarisë kriminale të shitjes në doza, të lëndëve narkotike.
Arrestohet në flagrancë një 20-vjeçar që posedonte qindra doza cannabisi, në automjet dhe në banesë, me qëllim shitjen në qytetin e Beratit.
Sekuestrohen dozat e lëndës narkotike.
Si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut dhe punës së inteligjencës policore, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Berat kanë konstatuar dhe goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të shitjes në doza, të lëndëve narkotike, rast për të cilin u vu në pranga shtetasi D. B., 20 vjeç, banues në Berat.
Nga kontrollet në automjetin që drejtonte 20-vjeçari dhe në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale sasi të lëndës narkotike cannabis sativa, të ndara në qindra doza, për t’i shitur në lagje të ndryshme të qytetit të Beratit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.