Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.
Bie në pranga poseduesi i lëndës narkotike dhe procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë.
Sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike heroinë dhe një sasi metadoni.
Specialistët për Hetimin e narkotikëve, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. M., 41 vjeç, dhe proceduan në gjendje të lirë bashkëpunëtorët e tij, shtetasit A. Xh., 33 vjeç dhe K. L., 30 vjeç, të tre banues në Berat.
Shërbimet e Policisë, në lagjen “Dëshmorët e Kombit”, në një banesë të braktisur, gjatë kontrollit fizik të shtetasit M. M. gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8.45 gramë lëndë narkotike të dyshuar heroinë.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në ambientin përreth banesës, ku gjetën dhe sekuestruan edhe 42 kokrra metadon.
Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
—–
Gjithashtu, nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
A. Xh., 33 vjeç, banues në lagjen “Jani Vruho”, Berat.
Arrestimi i tij u bë pasi ka bërë kallëzim shtetasja E. T. 30 vjeçe, se ky shtetas i ka marrë një shumë eurosh, me anë të mashtrimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Mashtrimi”.