Berat – Evidentohet dhe goditet një tjetër tentativë për kultivim të bimëve narkotike

Evidentohet dhe goditet një tjetër tentativë për kultivim të bimëve narkotike.
Vihet në pranga autori i dyshuar, procedohet në gjendje të lirë inxhinieri i pyjeve dhe shpallet në kërkim kryeplaku i fshatit Gjoroven.
Shërbimet e Policisë Berat, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e atyre personave që tentojnë të kultivojnë bimë narkotike, kanë konstatuar të kultivuar disa fidanë kanabis në një zonë të pyllëzuar midis fshatrave Gjoroven dhe Veleshnje.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Berat arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike, shtetasin R. V., 45 vjeç, banues në Gjoroven.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. B., 31 vjeç, banues në Uznovë, me detyrë inxhinier pyjesh, për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe u shpall në kërkim kryeplaku i fshatit, shtetasi I. Sh., 33 vjeç, banues në Gjoroven, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme.