Analiza vjetore e punës së bërë nga strukturat e DVP Elbasan

Në Elbasan është zhvilluar sot, analiza vjetore e punës së strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Në analizë morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Drejtues i Lartë Tonin Vocaj, Drejtori i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, prokurori i Rrethit Gjyqësor Elbasan Kreshnik Ajazi, nënkryetarja e Gjykatës Elbasan Matilda Fetau dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan Ardian Çipa ka theksuar se strukturat e Policisë janë të angazhuara për të krijuar një ambient social sa më të sigurt, për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë dhe për parandalimin e krimit në tërësi. Ndër të tjera, Drejtor Çipa ka theksuar punën e mirë që është bërë për goditjen e një grupi kriminal, zbardhjen e një sërë vrasjesh të ndodhura më parë nga ky grup dhe ka kërkuar nga efektivët që të ecet në këtë rrugë, në të ardhmen.

Më tej, prokurori i Rrethit Kreshnik Ajazi, gjatë fjalës së tij, ka vlerësuar bashkëpunimin e mirë që ekziston midis Prokurorisë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, për koordinimin e veprimeve hetimore, për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë dhe ka premtuar mbështetje të Prokurorisë dhe të oficerëve të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, gjatë fjalës së tij, ka falënderuar drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe efektivët në varësi, për rezultatet e arritura gjatë vitit 2021, dhe është ndalur në perceptimin që është krijuar në komunitet, për shkak të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë. Në lidhje me këtë perceptim, Drejtori i Përgjithshëm Nano ka garantuar qytetarët se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan janë tërësisht të angazhuara për të vijuar punën, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, krijimin e një ambienti sa më të sigurt, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, kapjen e autorëve dhe të personave në kërkim.

Po në këtë kuadër, Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano ka kërkuar angazhim akoma më shumë nga strukturat e Policisë, si dhe ka kërkuar nga qytetarët, besim dhe mbështetje për të ndihmuar shërbimet e Policisë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe ndryshimin e këtij perceptimi që është krijuar kohë më parë në këtë rajon.

Më pas, gjatë zhvillimit të analizës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka kërkuar strukturave vendore, rritjen e forcës goditëse dhe zbuluese, zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë dhe kapjen e autorëve, parandalimin e kultivimit të kanabisit, duke treguar zero tolerancë në parandalimin e krimit dhe goditjen me ashpërsinë e ligjit, të atyre që ushtrojnë veprimtari kriminale në çdo fushë, duke sjellë pasoja për jetën dhe pronën e qytetarëve.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm u ka kërkuar strukturave vendore që të grumbullojnë informacion, duke bashkëpunuar me qytetarët, për vendndodhjen e personave në kërkim dhe me ndihmën e Forcave Operacionale në PSH, të realizohet kapja e tyre.

Nano ka siguruar strukturat se do të kenë në dispozicion ekspertët më të mirë të hetimit të krimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me qëllim bashkërendimin e punës dhe me Prokurorinë e Rrethit, për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.

Drejtor Nano u ndal dhe te gjenerata e re e Policisë. Ai u ka kërkuar drejtuesve të strukturave policore që punonjësit e rinj që kanë filluar punë të mos lihen me shërbim nëpër Komisariate dhe Drejtori, por brezi i ri të aderohet dhe të planëzohet me shërbime në terren, me qëllim rritjen e performancës së Policisë, pasi brezi i ri është i mirëpritur, krijon një impakt shumë pozitiv dhe rrit besimin te qytetarët për një Polici më profesionale dhe më të aftë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.