Siguria Rrugore, një ndër prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, së bashku me Drejtorin e Departamentit për Sigurinë Publike Rebani Jaupi, zhvilloi me drejtuesit e Policisë Rrugore në qendër dhe në qarqe, një mbledhje analizuese të rezultateve të tremujorit të parë të vitit 2022, si dhe për prioritetet e tremujorit të dytë të këtij viti.
Drejtor Nano, pasi u njoh më nga afër me rezultatet dhe problematikat e raportuara nga Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato dhe drejtuesit e qarkullimit rrugor në qarqe, vlerësoi rezultatet e arritura për këtë tremujor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Nano: “Vlerësoj punën dhe angazhimin e gjithsecilit në arritjen e këtyre rezultateve, duke shpëtuar 12 jetë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe duke shënuar një ulje me 12% të aksidenteve rrugore me pasoja ose 38 aksidente me pasoja më pak, si dhe një rritje të forcës ndëshkuese për shkelësit e Kodit Rrugor, përmes vendosjes së 74.000 masave administrative më shumë, kryesisht në drejtim të shkeljeve që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.
Njëkohësisht vlerësoj punën e mirë të Policisë Rrugore të Tiranës, në drejtim të goditjes së rasteve të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore, ku vetëm nga Policia Rrugore e Tiranës janë evidentuar mbi 50 raste këtë tremujor.
Pavarësisht rezultateve inkurajuese të këtij tremujori, kërkoj nga të gjithë ju dhe nga vartësit tuaj, angazhim më të madh, duke e përqendruar punën tuaj në ato problematika të cilat sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Nga ana juaj, unë do të kërkoj një reagim emergjent për ndryshimin e situatës së qarkullimit rrugor në vend dhe do të kërkoj që sot, hartimin e një plani masash këtu në qendër, nga Departamenti për Sigurinë Publike dhe deri ditën e nesërme, njohjen e të gjithë stafit tuaj, me detyrimet e këtij plani dhe në datën 14, fillimin e zbatimit të planit në të gjithë vendin. Do të fokusohemi në shkeljet e drejtuesve të mjeteve, nga të cilat vijnë pasojat fatale.
Do të organizohet puna, duke kombinuar me patrulla civile, me mjete të pauniformuara dhe duke përdorur të gjitha mjetet logjistike, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve të automjeteve që nuk përdorin rripin e sigurimit për vete dhe pasagjerët, të atyre drejtuesve që përdorin aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit, që kryejnë parakalime të gabuara, që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara dhe që kryejnë manovra të rrezikshme në rrugë.
Të evidentohen dhe të ndëshkohen të gjithë ata drejtues mjetesh që përdorin fenelina dhe sinjale zanore, në kundërshtim me Kodin Rrugor, që riveshin xhamat me qese plastmasi, që përdorin targa të huaja apo që u ka mbaruar afati i përdorimit, ata drejtues motomjetesh që nuk përdorin kaskën mbrojtëse, si dhe ata drejtues mjetesh që nuk u japin përparësi këmbësorëve apo parkojnë në tortuar a vende në të cilat nuk lejohet parkimi, cilëtdo qofshin këta, qytetarë apo punonjës të Policisë.
Të nisni në çdo qark fushata sensibilizuese, duke bërë pjesë nxënësit e shkollave dhe mediat, për të sensibilizuar drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët, pasi nga analiza e aksidenteve rrugore rezulton që në shumë raste janë fajtorë edhe këmbësorët, të cilët nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Informoni qytetarët nëpërmjet mediave lokale dhe qendrore, që Policia e Shtetit nuk ka asnjë qëllim të rrisë sasinë e gjobave, por ka një qëllim të vetëm, rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë dhe kjo është shumë e rëndësishme, pasi qëllimi ynë është destinacioni i sigurt për çdo përdorues rruge.
Të jeni sa më dinjitoz në komunikim dhe në veprime me qytetarët, por edhe me shkelësit e Kodit Rrugor, arma juaj është ligji dhe etika e sjelljes. Nuk do të toleroj askënd që shpërdoron këto parime dhe dëmton imazhin e Policisë, si dhe besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.
Së fundi, përfitoj nga rasti që të falënderoj të gjithë ata që zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të falënderoj mijëra e mijëra qytetarë që çdo muaj denoncojnë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe jo vetëm, si dhe sinqerisht i ftoj qytetarët që të jemi së bashku në çdo sfidë që është në interes të sigurisë së jetës së tyre.”