Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, vizitë në Policinë e Shtetit

Yuri Kim takoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano dhe deklaroi se: “Policia e Shtetit do ta ketë përherë mbështetjen e SHBA-së në sfidat e përbashkëta”.

Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano priti në një takim kortezie, ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim.

Forcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit, Policisë amerikane, Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe agjencive ligjzbatuese të SHBA-së, lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit ishin në fokus të takimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano njohu ambasadoren Yuri Kim, me vizionin, prioritetet dhe sfidat personale që ai ka në krye të Policisë së Shtetit dhe e siguroi ambasadoren se Policia e Shtetit do të jetë në nivelet më të larta të performancës për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe terrorizmin.

Ambasadorja Yuri Kim uroi Drejtor Nanon për detyrën mjaft të rëndësishme dhe plot sfida, si dhe përgëzoi strukturat e Policisë së Shtetit, për rezultatet e arritura deri tani në drejtim të parandalimit të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe drogave të forta, në goditjen e krimeve ndërkufitare, krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar e terrorizimit në veçanti.

Yuri Kim theksoi se Policia e Shtetit do ta ketë akoma më shumë mbështetjen e SHBA-së në sfidat e përbashkëta në interes të të dy vendeve dhe më gjerë.

Në fund të takimit, Drejtor Nano theksoi edhe njëherë se Policia e Shtetit është e orientuar, e fokusuar dhe e angazhuar për t’u ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor dhe e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët vendas, biznesin, vizitorët dhe turistët.

Pas takimit, Drejtori i Përgjithshëm Nano dhe ambasadorja Kim kanë dhenë një deklaratë për shtyp për mediat.

Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano:

“Sapo zhvilluam një takim me zonjën ambasadore. Takimi u krye në kuadër të bashkëpunimit që Policia e Shtetit ka me të gjitha agjencitë ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara. Siç dihet, Shtetet e Bashkuara janë partneri ynë strategjik dhe kemi mbështetjen kryesore të Policisë së Shtetit për trajnimet, asistencën, logjistikën, konsulencën, kështu që e vlerësoj shumë këtë bashkëpunim dhe këtë mbështetje.

I sigurova zonjës ambasadore që Policia e Shtetit do të jetë në nivelet më të larta të performancës, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe patjetër kërkova dhe mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara dhe agjencitë ligjzbatuese mund të japin për Policinë e Shtetit. Kjo është luftë që nuk mund të bëhet asnjëherë vetëm dhe duke ditur gjithë mbështetjen që ne kemi pasur deri tani, unë jam shumë i bindur që bashkë do t’ia dalim për të pasur rend dhe siguri me tepër në vendin tonë dhe absolutisht për të mbështetur edhe ne Shtetet e Bashkuara, në mbrojtjen e interesave të qeverisë dhe jetën dhe interesat e qytetarëve amerikanë. Faleminderit!”

Yuri Kim:

“Faleminderit, para së gjithash pata një takim shumë të mirë në mëngjes me zotin Nano, para së gjithash erdha për ta përgëzuar për pozicionin e ri. Gjithashtu rikonfirmova që bashkëpunimi i fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë për çështjet e ligjzbatimit mbetet i rëndësishëm dhe ne do të vazhdojmë që të ofrojmë sa më shumë mbështetje që të jetë e mundur duke variuar që nga pajisjet, trajnimet dhe çfarëdo lloj tjetër ndihme të jetë e mundur.
Gjithashtu diskutuam për rëndësinë që Policia të mund të ruajë dhe të rrisë besimin e publikut me integritetin e tyre.

Zoti Nano dhe unë jemi mbështetës të fortë të prezencës së Policisë dhe e dimë që policët, Policia e Shtetit ndërmerr rreziqe të mëdha, ndonjëherë madje duke humbur dhe jetën e tyre, thjesht për të ruajtur ligjin dhe rendin.
Gjithashtu diskutuam rëndësinë se si ligjzbatimi të mund të mbetet i ruajtur nga çfarëdolloj ndikimi apo influence që vjen prej jashtë. Faleminderit!”