Tiranë
Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Italisë, Prefektit Vittorio Rizzi, i jepet nga Akademia e Sigurisë, titulli “Honoris Causa”.
Në shenjë mirënjohjeje për titullin e parë të këtij niveli, që jepet nga Akademia e Sigurisë, z. Rizzi dhuron për Policinë e Shtetit, 400 kopje të librit të tij, me titull “Investigare 4.0”.
Në Akademinë e Sigurisë, u zhvillua një ceremoni me rastin e vizitës së zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Italisë, Prefektit Vittorio Rizzi, në kuadër të bashkëpunimit mes akademive policore të dy vendeve.
Pasi i dorëzoi titullin zotit Rizzi, Rektori i Akademisë së Sigurisë Profesor Ilirjan Mandro, gjatë fjalës së tij, vlerësoi partneritetin mes Akademisë së Sigurisë në Tiranë dhe Akademisë së Sigurisë në Romë.
Mandro: “Dua të falënderoj autoritetet drejtuese të Policisë së shtetit italian dhe Prefektin Rizzi, të cilin sot kemi nderin ta kemi të pranishëm, për kontributin e çmuar të dhënë në mënyrë të vazhdueshme për Policinë e Shtetit. Ne sot jemi histori suksesi për rikthimin e besimit të agjencive ndërkombëtare ligjzbatuese, te Policia e Shtetit. Për to jemi partnerë në shkëmbimin e cilësive profesionale dhe me interesa të njëjta. Sfidat me të cilat përballet shoqëria shqiptare janë ato me të cilat janë përballur dhe përballen edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Akademia e Sigurisë sapo është akredituar në sistemin e rrjetit të arsimit të lartë, ofron arsim profesional dhe kurrikulat janë në proces certifikimi. Falënderojmë partnerët tanë vendas, Ministrinë e Arsimit, Universitetin e Tiranës, Shkollën e Magjistraturës dhe shumë partnerë të tjerë. Takimi i sotëm flet për ecurinë e këtij bashkëpunimi.”
Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe zv.ministrat e Brendshëm Besfort Lamallari dhe Julian Hodaj.
Drejtori i Përgjithshëm: “Përfitoj nga rasti të shpreh nderimin dhe konsideratën time më të lartë, për drejtuesit e Policisë së Shtetit të Italisë, për mbështetjen e gjithanshme që kanë dhënë dhe japin për Policinë e Shtetit shqiptar, dhe në veçanti, për zhvillimin e sistemit arsimor policor në Akademinë e Sigurisë. Ky bashkëpunim ka ndihmuar në përmirësimin e njohurive për rekrutimin e personelit, pasurimin e akademive të sigurisë së dy shteteve, me materiale dhe me plane mësimore, duke shkëmbyer praktikat më të mira në organizimin e aktiviteteve didaktike; mundësimin e lektorëve tanë të marrin eksperiencë dhe rritje të kapaciteteve mësimdhënëse në Akademinë e Policisë italiane, si dhe në fushën e kërkimit shkencor. Ndihmë të vyer ky bashkëpunim ka patur dhe për studentët tanë të cilët kanë rritur njohuritë nëpërmjet trajnimeve pranë Akademisë së Romës.
Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë italiane, Prefektit Vittorio Rizzi, i akordohet titulli i lartë “Honoris Causa”, i pari titull i kësaj natyre që jep Akademia e Sigurisë, që çel edhe siparin e nderimit dhe respektimit të figurave e miqve, që institucionin tonë të edukimit policor ta shikojnë si detyrim shpirtëror dhe moral, si ndihmë reale institucionale.
I dashur zoti Rizzi, Akademia e Sigurisë dhe Policia e Shtetit do t’ju nderojnë me titullin e lartë “Doctor Honoris Causa”, sepse ju i keni dhënë një dimension të ri marrëdhënieve tona, jeni kontribues në procesin e shndërrimit të Akademisë së Sigurisë në institucionin e Arsimit të Lartë për edukimin e punonjësve të Policisë, në fushën e ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike. Jeni ju dhurues i një prej librave tuaj më të domosdoshëm të kriminalistikës, që e bën mbështetjen tuaj jo me fjalë por me vepra, me veprën tuaj profesionale dhe dinjitoze, vepër që praktikisht nga sot është në duart e drejtuesve të Policisë, stafit mësimor dhe studentëve të Akademisë së Sigurisë.”
Prefekti Rizzi: “Më lejoni të shpreh falënderimin më të sinqertë ndaj Drejtorit të Akademisë së Policisë dhe ndaj gjithë autoriteteve shqiptare, për këtë surprizë që më emocionon, më prek dhe që përbën për mua vlerësim për të cilin unë vërtet jam shumë krenar. E citoj gjithmonë, e them gjithmonë edhe në takimet ndërkombëtare, e them edhe kur jap mësim në shkollat e Policisë italiane, një mësim shumë të madh e kam marrë nga kryeministri Rama, kur në rastin e një ndër takimeve që kemi patur në Shqipëri, me kolegët, kemi pasur privilegjin që ai të na priste. Asokohe unë përcillja një delegacion me Ministrin e Brendshëm italian. Erdhëm dhe u pritëm nga kryeministri Rama që flet një italishte të jashtëzakonshme. Ai ka nënvizuar shumë herë në gjithë fjalimin e tij, tematikën e formimit, e përgatitjes akademike, sa e rëndësishme është të krijohet një kulturë e ligjshmërisë, një kulturë e demokracisë dhe se si kjo duhet të ishte pasuri e forcave të rendit. Ai i kërkoi ministrit, që më pas më kaloi mua detyrën, për t’u kujdesur për pjesën teknike, pra i kërkoi një kontribut të shkollës së Policisë italiane, për të ndërtuar një rrugëtim së bashku, që të mund të sillte binjakëzim të shkollave tona. Është një rrugëtim që edhe akademitë publike dhe private po bëjnë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, ndaj është një rrugëtim që vjen në vazhdën e një bashkëpunimi institucional dhe politik mes 2 vendeve. Ajo çfarë më ka lënë mbresa nga fjalimi i zotit Rama, ishte se forca dhe madhësia e një shteti nuk maten me atë se çfarë ka një shtet, por me atë çfarë di një shtet.
Unë ndihem thellësisht i nderuar që mora sot këtë titull. Më lejoni gjithashtu t’i shpreh një faënderim të veçantë Drejtorit të Policisë, i cili po qeveris këtë fazë shumë komplekse. Ne po jetojmë një moment shumë të vështirë në nivel global. Kemi luftëra nëpër botë, kemi tensione, kemi rreziqe të infiltrimit terrorist, kemi kriminalitet të organizuar që në shtetet tona është bërë tashmë një kriminalitet global që shtrihet nëpër botë. Drejtori Rrumbullaku po bën një punë të shkëlqyer të qeverisjes së sigurisë së shtetit në Shqipëri. Një fjalë do të doja patjetër ta shpenzoja për mikun tim Mandro, pasi pasioni dhe entuziazmi i tij që lexohen në dritën që kanë sytë e tij, se në momentin ku ai flet për trajnime, për formim, për angazhimin që ka ndaj kësaj akademie, duket i gjithë entuziazmi i tij.”
Në përfundim të ceremonisë, në shenjë mirënjohjeje për titullin dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, z. Rizzi ka dhuruar për Policinë e Shtetit, 400 kopje të librit të tij, me titull “Investigare 4.0”, që do të bëhen pjesë e kurrikulës së Akademisë së Sigurisë.
Gjithashtu, Prefekti Rizzi ka zhvilluar 2 orë leksion me studentët dhe pedagogët e Fakultetit për Hetimin e Krimit, me kursantët dhe instruktorët e Kolegjit Profesional të Policisë, në Akademinë e Sigurisë.