70 vjet Instituti i Përgatitjes sē Qenve të Policisë së Shtetit

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu gjatë ceremonisë për 70-vjetorin e krijimit të Institutit të Përgatitjes së Qenve të Policisë

Sot jemi këtu jo thjesht për të bërë ceremoninë e rastit, por për të vlerësuar rëndësinë e këtij instituti në përmbushjen e detyrave që kanë strukturat e Policisë së Shtetit.

Plot 70 vjet nga çelja e kursit të parë të përgatitjes së instruktorëve dhe qenve të shërbimit, asokohe një njësi e vogël, e cila ndërvite u rrit si strukturë, u zhvillua profesionalisht dhe tashmë po aplikon metodat më të mira të trajtimit dhe trajnimit të qenve të Policisë.

Përdorimi i qenve nga agjencitë ligjzbatuese ka që nga Mesjeta. Në Francë, qentë u përdorën në shekullin XIV në Shën Malo.

Që nga ajo kohë e deri sot, në forma e mënyra të ndryshme, qentë e Policisë janë përdorur për të ndihmuar punonjësit e Policisë në zbatimin e ligjit, për të parandaluar dhe goditur trafiqet e paligjshme kryesisht të lëndëve narkotike, armëve të zjarrit dhe eksplozivit, janë përdorur për ndjekjen e gjurmëve të personave që kanë kryer krim dhe kanë mundur t’i shpëtojnë kapjes në flagrancë nga ana e Policisë, por edhe për zbulimi e parave.

Siguria është kusht elementar për një jetë e zhvillim normal, pasi siguria ndikon drejtpërdrejt në zhvillim jetik të vendit.

Jemi dëshmitarë se krimi i organizuar po zhvillohet dhe sofistikohet dhe detyra jonë është që të gjejmë përherë forma e metoda për ta parandaluar dhe luftuar atë. Një nga këto forma është edhe përdorimi i qenve të Policisë.

Me mbështetjen e partnerëve tanë, e cila ka qenë dhe është shumë e domosdoshme dhe jetike, Instituti i Përgatitjes së qenve është zhvilluar, ka përmirësuar rracat e qenve dhe aftësitë e tyre vepruese, janë trajnuar dhe përgatitur profesionalisht trajnuesit e tyre.

Ndaj, duke përfituar nga rasti, në emër të Policisë së Shtetit dua t’i falënderoj në veçanti drejtuesit e ICITAP dhe të gjithë miqtë e partnerët tanë që kanë kontribuuar edhe në këtë fushë që është jo pak e rëndësishme në përmbushjen me sukses të misionit tonë.

Instituti i Përgatitjes së Qenve të Policisë ka treguar profesionalizëm, përkushtim e angazhim maksimal për të punuar në unison të plotë me të gjitha strukturat e Policisë, në arritjen e rezultateve konkrete qoftë në zbulimin e trafikimit të lëndëve narkotike dhe armëve të zjarrit apo atyre eksplozive, ashtu edhe në ndjekjen e autorëve të rrezikshëm, ku falë ndjekjes nga qentë e Policisë në shumë raste është mundësuar zbulimi i vendndodhjes, kapja e prangosja e tyre.

Shembuj pozitiv në zbulimin e lëndëve narkotike (heroinë, kokainë, cannabis), mund të përmendim skuadrat e qenve në PKK Port Durrës, PKK Port Vlorë, PKK Kakavijë, PKK Kapshticë, si dhe në gjetjen dhe kapjen e autorëve të veprave të ndryshme nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, Komisariatit të Policisë Elbasan, Reparti i Ndëhyrjes së Shpejtë Shkodër, Njësia Speciale RENEA, në kapjen e personave me rrëzikshmëri të lartë, grupin e Njësisë Speciale Antieksploziv në sigurimin e kontrollin e sigurinë për objektet e kontrolluara etj.

Një falënderim të sinqertë për gjithë ekipin e këtij instituti dhe s’kam sesi të mos përmend heroin me katër putra “Brandi’ dhe instruktorin e tij.

Të gjithë e kujtojnë Brandin kur kërkonte për personat e mbetur nën rrënojat e pallatit 6-katësh në Durrës, që u godit nga tërmeti.
Brandi u fut në një tunel rreth 4-5 metra, i krijuar nga rrëzimi i objektit. Në këtë vend ka ardhur reagimi i qenit, i cili dha shenjë për praninë e njerëzve nën rrënoja, rreth 2 metra në thellësi.

Brandi e kreu mision, atë mision që ka në thelb Policia e Shtetit, në ndihmë e në mbrojtje të jetës së qytetarëve.
Për të arritur rezultate akoma dhe më të mira falë përdorimit të qenve të Policisë, Instituti i Përgatitjes së Qenve të Policisë duhet të ketë detyrë kryesore rritjen e aftësimit profesional nëpërmjet trajnimit të vazhdueshëm për ruajtjen e përsosjen e aftësive teknike të kërkimit dhe në të njëjtën kohë duke rritur se tepërmi gadishmërinë për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës.

I uroj gjithë stafit të këtij instituti gëzuar 70-vjetorin dhe sa më shumë rezultate pozitive të arritura në vijim nga kjo strukturë e rëndësishme e Policisë së Shtetit.

Faleminderit!