Pogradec – Ja pamjet e fazës së dytë të operacionit policor të koduar “Driloni”

Ja pamjet e fazës së dytë të operacionit policor të koduar “Driloni”

Ka shkuar në 7 numri i të ndaluarve në kuadër të këtij operacioni.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar armë zjarri, armë të ftohta, armë gjuetie, sasi me municion luftarak, krehra, dokumente të dyshuara si të falsifikuara dhe sasi monetare

Operacioni u zhvillua nga DVP Korçë, Komisariati i Policisë Pogradec, DVP Tiranë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale, nën Drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec.

Kapet dhe vihet në pranga organizatori tjetër i ngjarjes së ndodhur në Tushemisht, ekzekutori i saj dhe një bashkëpunëtor i tyre.

Ekzekutori i ngjarjes, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve në Lushnjë, si dhe për vjedhjen me dhunë të një automjeti në Korçë.

Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në Tushemisht, si rezultat i punës hetimore dhe provave të mbledhura nga strukturat e Policisë u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Driloni”, në kuadër të të cilit, në fazën e parë u ndaluan 5 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.

Strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, në bashkëpunim të ngushtë me DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Pogradec, Forcat e Posaçme Opreacionale në DPPSH, si edhe Repartin Special RENEA, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, falë koordinimit të veprimeve dhe përdorimit të dronit finalizuan me sukses fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Driloni” si rezultat i të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:

• Meardi Berberi, 34 vjeç, banues në Pogradec;
• Anterio Kaloshi, 29 vjeç, banues në Lushnjë;
• Ervin Kalaja, 40 vjeç, banues në Tiranë;

Shtetasi Meardi Berberi, në bashkëpunim me shtetasit Ilir Berberi dhe Anterio Kaloshi, më datë 08.08.2020, dyshohet se kanë tentuar të vrasin me armë zjarri, djalin e pronarit të hotelit, shtetasin J. M., ku si pasojë e të shtënave me armë, janë dëmtuar godina e hotelit dhe 7 automjete të parkuara pranë tij.

Për këta shtetas, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për disa vepra penale, pasi dyshohet se janë autorë të disa ngjarjeve kriminale të ndodhura vitet e fundit në Pogradec, Korçë dhe Lushnjë.

Nga ana e Policisë po vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër të shpallur në kërkim B. S., në kuadër të këtij operacioni dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të këtij grupi.