Finalizohet operacioni policor i koduar “Panariti”.
Operacioni nga DVP Berat, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Skrapar.
Qëllonin me armë zjarri duke krijuar panik tek banorët, vihen në pranga 5 persona, ndërmjet tyre dhe një shtetase që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të dhënë nga Gjykata, për veprën penale “Prodhimi dhe shitje e lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
Sekuestrohen tri armë zjarri kallashnikov, lëndë narkotike, fara cannabis, një motomjet i vjedhur, municion luftarak dhe një automjet fuoristradë me të cilin qarkullonin personat e arrestuar.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore Berat, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Skrapar, pas njoftimit të marrë nga banorët e zonës se në afërsi të fshatit Panarit, Skrapar, po qëllohej me armë zjarri në orët e vona të mbrëmjes, menjëherë organizuan punën, duke zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Panariti”.
Për shkak të errësirës dhe sigurisë së jetës të punonjësve të Policisë, gjatë natës është rrethuar zona dhe janë mbajtur në vëzhgim me dylbi nate, 5 personat që herë pas here qëllonin me armë zjarri në ajër.
Me rënien e ndriçimit, shërbimet e Policisë janë afruar dhe u kanë bërë thirrje të mos bënin asnjë veprim, por t’i bindeshin urdhrit të Policisë.
Personat, kur kanë parë shërbimet e Policisë, kanë tentuar të largohen me vrap duke hedhur armët e zjarrit në një zonë të pyllëzuar, por janë kapur gjatë ndjekjes nga Policia.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikim i mjeteve motorike” “Armëmbajtja pa leje”, “Prishja e qetësisë publike”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, i shtetasve:
R. D., 25 vjeç, banuese në Berat, e cila ka qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim;
D. (E.) D., 42 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotikëve”, M. Sh. alias A. D. alias S. D., 35 vjeç, A. S., 43 vjeç dhe F. (A.) M. (Xh.), 33 vjeç, banues në Berat;
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi një motomjet të dyshuar të vjedhur, i trafikuar nga vendet e BE-së, një sasi të vogël lënde narkotike, një sasi prej 1.636 farash të dyshuara cannabis sativa, tri armë zjarri kallashnikov, fishekë luftarak dhe një automjet fuoristradë me të cilën lëviznin autorët.
Materialet proceduriale do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat.