Qafë Thanë – Arrestohen me qëllim ekstradimi dy shtetas maqedonas, të shpallur në kërkim ndëkombëtar nga autoritetet gjyqësore austriake dhe sllovene

Arrestohen me qëllim ekstradimi dy shtetas maqedonas, të shpallur në kërkim ndëkombëtar nga autoritetet gjyqësore austriake dhe sllovene.

Ndalohet një 53-vjeçar për veprën penale “Trafik droge” dhe një 39-vjeçar për “Mashtrim kundër qeverisë”.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Komisariatin e Policisë Pogradec dhe Interpol Tiranën, bënë ndalimin e dy shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

• R. D., 53 vjeç, banues në Stërmnicë, Tetovë.

• S. R., 39 vjeç, banues në Labunishta, Strugë.

Gjatë përpunimit të dokumentacionit të tyre në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare, konstatuan se Gjykata Austriake kishte caktuar ndaj shtetasit R. D., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafik droge” për të cilën bazuar në Kodin Penal Austriak parashikohet dënimi deri në 15 vite burg.

Gjithashtu edhe shtetasi S. R., rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Koper, Slloveni kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Mashtrim kundër qeverisë”, për të cilën bazuar në Kodin Penal Slloven parashikohet dënimi deri në 8 vite burg.

Materialet në ngarkim të tyre iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme.