Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Berat – Vijon kontrolli për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme që shkakton dëmtime në malin e Tomorit. Ushtronte aktivitetin e nxjerrjes së pllakave dekorative edhe pse i kishin pezulluar licencën, kapet dhe vihet në pranga administratori i firmës. Gjatë kontrollit është vënë në pranga edhe një punonjës i një subjekti tjetër të përpunimit të gurit, ndërsa administratori i këtij subjekti është shpallur në kërkim. Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: D. L., 26, vjeç, banues në fshatin Novaj, Skrapar, administrator i një subjekti që i është revokuar licenca e ushtrimit te aktivitetit, me objekt veprimtarie “Grumbullim, përpunim dhe tregtim i gurëve dekorativë”; S. K., 40 vjeç, banues në Poliçan, punonjës i një subjekti. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi S. Q., 61 vjeç, banues në Tiranë, administratori i subjektit. Arrestimi i dy shtetasve dhe shpallja në kërkim e administratorit u bë pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në bashkëpunim me punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura Berat, në aksin dytësor Novaj–Pronovik, në vendin e quajtur “Qafa e Sqepurit”, kanë konstatuar me dy mjete, njëri pa targa, të ngarkuar me pllaka guri dekorative, të nxjerra në Malin e Tomorit, zonë e shpallur “Park Kombëtar”, duke dëmtuar habitatin natyror të zonës së mbrojtur. Dyshohet se këta shtetas materialin e gurit të nxjerrë në mënyrë të paligjshme në këtë zonë e tregtonin duke pasur aktivitetin me status të pezulluar dhe me fatura fiktive. Materialet iu referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, ‘’Fshehja e të ardhurave’’ dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Mat – Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti në familje. Goditi me sende të forta xhaxhanë dhe djalin e tij, vihet në pranga 22-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pasi kanë marrë informacion se në fshatin Burgajet, Mat, po ndodhte një konflikt në familje, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë ndërhyrjes së shpejtë kanë parandaluar konfliktin e mëtejshëm që mund të kishte pasoja të rënda. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: A. D., 22 vjeç, banues në fshatin Burgajet, Mat. Ky shtetas, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta xhaxhanë e tij shtetasin H. D., 58 vjeç dhe djalin e xhaxhait, shtetasin A. D., 27 vjeç. Gjithashtu, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me DVP Shkodër, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim A. C., 30 vjeç, banues në Burrel. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga DVP Shkodër, pasi me anë të mashtrimit, duke u paraqitur si avokat, ka përfituar nga shtetasi A. M., një shumë parash për kryerjen e procedurave për marrjen e një kredie. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka urdhëruar ndalimin e këtij shtetasi, për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Mat, për veprime të mëtejshme.
Interpol Tirana – Më datë 03.08.2020 u krye ekstradimi nga Tirana drejt Gjermanisë, i shtetasit K. Z., 24 vjeç, lindur në Dushanbe, Taxhikistan. Ky shtetas është kapur më datë 29.04.2020, nga Drejtoria e Antiterrorit, Tiranë, pas një punë inestigative dhe falë shkëmbimit me homologët e antiterrorit në Gjermani. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ëiesbaden, Gjermani, pasi autoritetet gjyqësore të Gjykatës Federale në Karlsruhe, me vendim Nr. 2 BGs 245/20 datë 21.04.2020, kanë lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar për veprën penale “Anëtar i një organizate të huaj terroriste” parashikuar nga Kodi Penal gjerman. Rrethanat e ngjarjes: Ky shtetas, së bashku me personat e tjerë të akuzuar, i udhëhequr nga një besim radikal fondamentalist, ngriti një qelizë në territorin e Republikës Federale të Gjermanisë, me qëllim që të ndërmerrte “xhihad” në emër të “IS”, në kuptimin e një lufte të armatosur kundër “jobesimtarëve”, në Gjermani dhe jashtë saj, me qëllim kryerjen e sulmeve në Gjermani ose Taxhikistan duke përdorur armë zjarri dhe eksplozivë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden/Gjermani u bë i mundur ekstradimi i tij drejt Gjermanisë.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 76 shtetas, konkretisht: 23 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 50 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, 1 rast me 1 autor të arrestuar në flagrancë, 2 raste me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 14 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Lezhë, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Elbasan; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë, 2 në Korçë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Tiranë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Korçë, 1 në Shkodër dhe 1 në Dibër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 2 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 5 raste, 2 në Tiranë, ku autorët pop procedohen në gjendje të lirë dhe 3 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, në Vlorë, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Transportimi i mbeturinave toksike”, në Berat, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Lezhë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Goditje për shkak të detyrës”, në Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Dibër, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, në Shkodër, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Kanosja për shkak të detyrës”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar 4 shtetas, për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, 1 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Elbasan.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur/nën efektin e alkoolit, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Shkodër.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, në Tiranë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.