Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 31 korrik 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Berat – Policia ka ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë një shtetase pozitive me COVID-19, pasi shkeli rregullat e vetëkarantinimit. Në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe të Komisariateve në varësi të saj kanë ushtruar kontrolle të njëpasnjëshme në banesat e personave të prekur nga COVID-19, me qëllim respektimin me rigorozitet të vetëkarantinimit, si dhe në subjekte të ndryshme, për respektimin e protokolleve të sigurisë.  Strukturat e Policisë disponojnë listat e përditësuara me emrat e personave të prekur nga COVID-19. Në orare të ndryshme gjatë ditës dhe mbrëmjes, shërbimet e Policisë ushtrojnë kontrolle në banesat e këtyre shtetasve. Nga kontrollet e ushtruara ka rezultuar se shtetasja E. Z., 37 vjeçe, e cila është infektuar nga COVID-19, kishte shkelur rregullat e vetëkarantinimit dhe kishte dalë jashtë banesës, duke u bërë burim infektimi për personat e tjerë.  Në zbatim të Aktit Normativ, për këtë shtetase, Policia e Beratit ka vendosur masë administrative 700.000 lekë. Policia u bën thirrje të gjithë personave të prekur nga COVID-19, që të respektojnë me rigorozitet rregullat e vetëkarantinimit, të respektojnë distancimin social, lokalet dhe bizneset të respektojnë protokollet e sigurisë, në mënyrë që të gjithë të kontribuojmë në mbrojtjen nga COVID-19.

Fier – Policia zbardh dhe dokumenton ngjarjen e ndodhur mesnatën e datës 29 korrik 2020, në parkimin e një pallati në lagjen “Apollonia”, ku u dogjën dy mjete. Ndalohet autori i dyshuar i vënies së qëllimshme të zjarrit me lëndë djegëse. Në vijim të punës hetimore intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në datën 29.07.2020, rreth orës 23:50, në parkimin e një pallati në lagjen “Apollonia”, ku u dogjën nga flakët 2 mjete, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të Policisë, në koordinim edhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier ndaluan autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin: D. M., 32 vjeç, banues në lagjen “Apollonia”, Fier. 32-vjeçari ka djegur me lëndë djegëse, për motive të dobëta, 2 mjete në pronësi të shtetasit F. F., 28 vjeç, banues në Fier, në parkimin e pallatit.  Ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve zjarrëfikëse, shërbimeve të Policisë, FNSH-së dhe ambulancës bëri të mundur shuarjen e zjarrit dhe evakuimin e menjëhershëm të banorëve dhe fatmirësisht nuk pati dëme në njerëz. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr duke shkaktuar pasoja të rënda.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Tërnova”. Operacioni i zhvilluar në Dibër, Bulqizë dhe Mat. Sekuestrohen armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë narkotike. Vihen në pranga 3 persona dhe procedohen penalisht 4 të tjerë.  Në zbatim të plan-operacionit të bërë nga DVP Dibër janë intensifikuar kontrollet në të gjithë territorin, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, kapjen e personave në kërkim dhe goditjen e krimeve mjedisore. Në këtë kuadër, bazuar dhe në  informacionet e marra në rrugë operative, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor “Tërnova”, si rezultat i të cilit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi R. I., 42 vjeç, banues në Tërnovë, Bulqizë, i cili u kap në fshatin Tërnovë, me automjetin “Land Rover”, duke qarkulluar me armë zjarri pistoletë dhe 11 fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Po në vijim të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi M. T., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili qarkullonte në mjet me shtetasin  R.I, pasi u kap me një sasi të vogël lëndë narkotike. Ky shtetas dyshohet se merrej me veprimtari kriminale në fushën e  shpërndarjes në doza të vogla të lëndëve  narkotike.  Njëkohësisht në Mat është vënë në pranga shtetasi A. P., 31 vjeç, pasi gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e Policisë është konstatuar se shtetasi A. P. kishte kultivuar bimë narkotike në oborrin e banesës së tij. Po në vijim të plan-operacionit, janë evidentuar dhe goditur 4 raste të krimeve mjedisore dhe janë proceduar penalisht shtetasit V. B., E. J., pasi janë konstatuar duke bërë ndërtime pa lejen e organeve kompetente; I. D., A. Z., pasi janë konstatuar duke transportuar lëndë drusore pa dokumentacion përkatës. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër dhe Mat, për veprime të mëtejshme.

Berat – Operacioni policor “The Drug Dealer”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.  Operacioni nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat.  Sekuestrohet 543 gramë lëndë narkotike të llojit kokainë. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë Berat, organizuan operacionin të koduar “The Drug Dealer”, në kuadër të të cilit u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Xh., 47 vjeç, banues në Dërmenas, Fier.  Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. Xh., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 543 gr. lëndë narkotike të llojit kokainë. Gjithashtu, në vijim të hetimeve u proceduan në gjendje të lirë shtetasit K. G., 24 vjeç dhe G. S., 30 vjeç, të dy banues në lagjen “Donika Kastrioti”, Berat, pasi dyshohet se bashkëpunonin me shtetasin A. Xh., për shitjen e lëndës narkotike.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 20 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 54 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Dibër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Korçë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Elbasan, me 2 autorë të arrestuar.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 2 në Durrës, me 1 autor të  arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 13 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 6 raste, 2 në Elbasan dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 3 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 3 në Vlorë, 1 në Lezhë dhe 1 në Mirditë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi në kredi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, në Tiranë, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shpërdorimi i detyrës”, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i monedhave”, në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Korçë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Dibër, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 2 shtetas, për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur/nën efektin e alkoolit, 2 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Korçë, 1 në Lezhë dhe 2 në Dibër.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 3 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.