Antikanabisi/Fier, Berat, Vlorë, Gjirokastër
Vijojnë takimet rajonale për intensifikimin dhe thellimin e masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu mblodhi në Fier, drejtuesit e Drejtorive Vendorë të Policisë Fier, Berat, Vlorë e Gjirokastër dhe shefat e Komisariateve në varësi të këtyre drejtorive.
Në takim të pranishëm Zv/Drejtoresha e Përgjithshme Aida Hajnaj, Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj dhe Drejtori i Departamentit të Sigurisë Gjovalin Loka.
Drejtori i Përgjithshëm Veliu ka theksuar që në krye të fjalës se qëllimi i këtij takimi është jo paraqitja e rezultateve, por analiza e punës së deritanishme dhe intensifikimi i veprimeve në terren për të evidentuar e goditur qoftë edhe një bimë të vetme kanabis sativa të kultivuar.
E vlerësoj punën e gjithsecilit, angazhimin dhe përpjekjet për të përmbushur këtë prioritet, por në këtë fazë që jemi, duhet medoemos një tjetër impuls, një tjetër ritëm e angazhim në terren dhe rritje të forcës goditëse duke mos i lënë asnjë hapësirë cilitdo që tenton të ushtrojë veprimtari kriminale në këtë fushë.
Veliu theksoi se që prej muajit janar e në vijimësi u ka kërkuar gjithë Drejtorëve Vendorë, qoftë në takimet e përjavshme apo në komunikimet e përditshme, por edhe nëpërmjet urdhrave, udhëzimeve, planeve të masave e tërheqjeve të vëmendjes që toleranca në këtë drejtim të jetë zero. Askush të mos neglizhojë apo më keq akoma të bëhet palë me keqbërësit, se nuk do tolerohet asnjë drejtues policie e deri te punonjësi më i thjeshtë.
Siç keni vepruar deri tani me kontrolle masive të territorit, kontrolle këto që nuk u ndalën edhe në periudhën e vështirë të izolimit nga pandemia, por përsëri Policia e Shtetit e vijoi punën krahas shumë detyrave duke ushtruar kontrolle të shumta të territorit, duhet që këto kontrolle të vijojnë më intensivisht.
Do t’ju mbështesim me helikopterë, me monitorim nga GDF, me dronë, me mjete logjistike, ndaj kjo periudhë që ka mbetur duhet që e tërë struktura policore nga qendra në bazë, të angazhohet në kontroll territori, në mbledhje informacionesh, në bashkëpunim me qytetarët që të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën, në interes të integrimit evropian të vendit tonë, shtoi Veliu.
Parandalimi dhe goditja e krimeve mjedisore, rritja e parametrave të sigurisë në komunitet me prioritet zonat bregdetare, kapja e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë apo me lëndë narkotike, parandalimi i aksidenteve rrugore duhet të jenë në fokusin e pa ndërprerë të punës suaj të përditshme, nënvizoi Drejtori i PSH.
Parandalimi i përhapjes së COVID-19, ishte një tjetër pikë ku Drejtor Veliu u ndal dhe kërkoi nga drejtuesit e policisë angazhim maksimal, pasi misioni jonë është të mbrojmë jetë dhe kjo detyrë është e shenjtë pasi mbrojmë jetët tona, të fëmijëve tanë e të gjithë shoqërisë, ndaj mos hezitoni të penalizoni dhe të ndaloni cilindo që nuk zbaton protokollet e sigurinë apo bëhet nxitës e përhapës i këtij virusi. Qytetarët e ndershëm na vlerësojnë nga puna që bëjmë, nga sjellja që performojmë e nga shërbimi që ju ofrojmë, ka mbyllur fjalën e tij Drejtor Veliu.